Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, do të qëndrojë në Bruksel më 17 dhe 18 nëntor, ku do të marrë pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin, një forum ndërkombëtar që trajton të ardhmen e institucioneve parlamentare në epokën digjitale.
Konferenca, e organizuar nga Unioni Ndërparlamentar në bashkëpunim me Parlamentin Evropian, do të mbledhë përfaqësues të parlamenteve nga vende të ndryshme të botës, për të diskutuar mundësitë që ofron teknologjia në zhvillimin e demokracisë dhe rritjen e efikasitetit institucional.

Në qendër të diskutimeve do të jetë transformimi digjital i parlamenteve, me theks të veçantë në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në proceset demokratike.
Gjatë vizitës, Haxhiu pritet të zhvillojë takime me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kryetarin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel, si dhe me eurodeputetë e zyrtarë të tjerë të lartë.
Përveç agjendës që lidhet me modernizimin e institucioneve parlamentare, në këto takime pritet të trajtohen edhe marrëdhëniet ndërparlamentare, perspektiva evropiane e Kosovës dhe procesi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Vizita në Bruksel zhvillohet në një kohë kur transformimi digjital dhe avancimi i agjendës evropiane mbeten ndër çështjet me rëndësi për institucionet e Kosovës.
Burimi: RTKLive





