Sonte është hapur për qarkullim Rruga A në Prishtinë, e cila ka marrë emrin e veprimtarit shqiptar Jim Xhema.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me hapjen e kësaj rruge, kryeqyteti nderon kontributin e Jim Xhemës për çështjen shqiptare dhe shtetësinë e Kosovës.

“Jim Xhema, ky shqiptar i madh, prej sonte e ka emrin në zemër të kryeqytetit. Prej sonte u hap për qarkullim një nga segmentet më të rëndësishme të kryeqytetit”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se në këtë mënyrë Prishtina nderon njerëzit që kanë kontribuar për çështjen shqiptare dhe shtetësinë e Kosovës.
“Kështu i nderon Prishtina njerëzit që kanë bërë aq shumë për çështjen shqiptare dhe shtetësinë e Kosovës. Kështu Prishtina u shërben qytetarëve të saj. Me punë. Me zhvillim”, ka shkruar Rama.
Burimi: RTKLive





