Mbrëmjen e sotme, kryetari i Prishtinës me bashkëpunëtorë ka përuruar një pjesë të asaj që njihet si Rruga A, apo Rruga “Jim Xhema”.

Për projektin ka folur drejtoresha e Investimeve Kapitale në Kryeqytet, Zyhrije Pllana, e cila për Klan Kosova tha se projekti ka rreth 3 vite që ka nisur së realizuari.
“Është ndër projektet më madhore të kryeqytetit. Realisht, kemi pasur probleme pronësore, probleme me gjykatën, mirëpo të gjitha janë zgjidhur dhe sot është bërë përurimi i saj”, u shpreh ndër të tjera ajo.
Sipas Pllanës, kjo rrugë do ta lehtësojë qarkullimin në kryeqytet, pasi që lidh Rrugën B, Malush Kosovën, Holgen Petersenin, deri te pjesa e Veternikut.
Drejtoresha tha se qasjen më të lehtë në këtë rrugë e kanë banorët e Matit 1, ata të Lagjes së Spitalit, të Prishtinës së Re, por edhe të gjithë qytetarët.
Sipas saj, projekti i Rrugës A për fazën e par, që është rreth 1 km e gjysmë, tashmë ka përfunduar në tërësi.
Por, Zyhrije Pllana tha se projekti pritet të vazhdojë vitin e ardhshëm, për të vazhduar kah Kalabria e Zllatari.
“Rruga A do të jetë rreth 6 km që do të realizohet viteve të ardhshme”, u shpreh drejtoresha e Investimeve Kapitale në Prishtinë.





