Humanisti Halil Kastrati ka treguar në Debat Plus se ideja për ndërtimin e shtëpisë së të moshuarve “Jetimat e Ballkanit” në Suharekë lindi nga përvojat e drejtpërdrejta të organizatës me personat në nevojë, përmes kuzhinave humanitare dhe vizitave nëpër shtëpitë e të moshuarve që jetonin të vetëm.
Kastrati ka rrëfyer se një prej aktiviteteve të tyre ishte vizita te të moshuarit që nuk kishin përkujdesje, të cilëve u dërgonin ushqim dhe u ndihmonin në pastrimin e dhomave apo të shtëpive.

Ai ka treguar se gjatë njërës prej këtyre vizitave, në veri të Mitrovicës, kishin gjetur një të moshuar të vdekur në dhomën e tij.
Sipas Kastratit, pikërisht kjo përvojë i shtyu të mendonin për krijimin e një shtëpie ku të moshuarit që nuk kanë familjarë apo përkujdesje të mund të jetonin me dinjitet.
“Të gjitha aktivitet tona lindin nga kuzhinat tona humanitare. Aty ka qenë përballja direkte me nevojtarët dhe kemi mësuar hallet dhe dertet e tyre. Ne kemi pasur atë kohë një prej aktiveve vizita tek të moshuarit që jetojnë veç vetë dhe kemi shkuar herë pas here me iu dërgu ushqim ose me ua pastru dhomat ose shtëpinë ku rrishin. Dhe në një rast në veri të Mitrovicës, gjatë vizitës të një të moshuari, e gjejmë të vdekur në dhomë. Dhe aty na lidni ideja që ne duhet ta ndërojmë një shtëpi për këtë të moshuar, që Zoti s’iu ka falur fëmijë dhe kanë ngel vetëm”, ka rrëfyer Kastrati.
Burimi: Dukagjini





