Një grup kriminal i përbërë nga tre shtetas shqiptarë është shkatërruar nga Garda Civile spanjolle, nën dyshimin se ka kryer 17 grabitje në banesa në tri provinca të rajonit të Galicisë, përkatësisht Ourense, Pontevedra dhe A Coruña.

Sipas gazetës spanjolle La Región, tre të dyshuarit, të identifikuar me inicialet R.D., E.N. dhe F.P., janë arrestuar më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën e Pontevedrës, ndërsa aktualisht ndodhen në burg.
Grupi dyshohet se ishte i specializuar në grabitje të shpejta, duke arritur të kryente bastisjen e një banese brenda vetëm 10 minutash. Objektiv i tyre ishin kryesisht shtëpitë dhe vilat, ku paraprakisht siguroheshin se nuk kishte persona brenda. Për të depërtuar në banesa, përdornin mjete të sofistikuara, ndërsa arrinin të identifikonin shpejt sendet me vlerë.
Hetimi, i koduar “Ziralla”, nisi më 30 tetor, pas regjistrimit të disa grabitjeve në provincën e Ourenses. Gjatë punës hetimore, autoritetet arritën të lidhin grupin me gjashtë raste në zonat A Merca, Allariz, Vilanova dos Infantes, Barbadás, Coles dhe Vilamarín.
Në total, tre të dyshuarve u atribuohen 17 grabitje në tri provincat e Galicisë.
Pas kryerjes së vjedhjeve, ata largoheshin nga vendi i ngjarjes dhe strehoheshin në një tendë të vendosur në një zonë të izoluar malore në Pontevedra, ku kalonin natën për t’iu shmangur zbulimit nga policia.
Për lëvizjet e tyre përdornin një automjet me fuqi mbi 350 kuaj fuqi, në të cilin kishin vendosur targa të ndryshuara për të vështirësuar identifikimin. Në dy raste, të dyshuarit kishin arritur t’u shpëtonin forcave të rendit, ndërsa gjatë arrestimit automjeti i tyre u përplas me veturat e Gardës Civile, duke shkaktuar dëme në dy prej tyre.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan bizhuteri, mbi 5.000 euro para të gatshme, mjete që dyshohet se përdoreshin për hapjen me forcë të banesave, si dhe pajisje kimike për verifikimin e pastërtisë së arit dhe diamanteve.
Sipas autoriteteve, të dyshuarit shmangnin çdo kontakt me banorët dhe, nëse vërenin se në banesë ndodhej dikush, largoheshin menjëherë pa e vazhduar grabitjen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





