Sipas GLPS-së, projektligji nuk i ka adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e shoqërisë civile, duke rrezikuar që Byroja të shndërrohet në mjet politik dhe të cenojë sigurinë juridike të qytetarëve.
Organizata ka ngritur shqetësime edhe për procedurën e shqyrtimit të projektligjit, duke vlerësuar se grupi punues nuk pati kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar amendamentet dhe rekomandimet.

Ndër mangësitë e evidentuara, GLPS përmend mundësinë e verifikimit të pasurisë që nga 17 shkurti 2008, ndonëse Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se kjo periudhë nuk mund të jetë më e gjatë se dhjetë vjet. Po ashtu, organizata vlerëson se nuk garantohet mjaftueshëm pavarësia e Byrosë dhe as barazia e palëve në procedurat e konfiskimit civil.
Për këto arsye, GLPS i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos e votojë projektligjin në lexim të dytë pa i adresuar çështjet që lidhen me zbatimin efikas, sigurinë juridike dhe pavarësinë e mekanizmit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Burimi: RTKLive




