Në Gjykatën e Prishtinës edhe sot më 04.11.2026 ka vazhduar gjykimi ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte në territorin e komunës së Malishevës.

Ramadan Morina po akuzohet se më 31 mars 1999 në fshatin Burim të Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Në seancën e sotme dy dëshmitarë kanë dhënë versionin e tyre para Gjykatës për këtë rast.
Dëshmitarja Zejnije Morina për të pandehurin Ramadan Morina tha se ai është i pafajshëm dhe se asnjëherë për të nuk ka dëgjuar diçka të keqe.
Madje ajo tha se është befasuar kur ka dëgjuar se ai është arrestuar nga organet e rendit, duke thënë se akuzat ndaj të pandehurit janë shpifje.
“Prej neve është i pafajshëm, kanë shpifë gjinja para luftës, mas luftës, kurrgjë nuk kam dëgju keq, kur kemi dëgju për të jemi çuditë kur e kanë arrestu.” – tha dëshmitarja.
Dëshmitarja tha se ka ndier edhe keqardhje kur ka dëgjuar për arrestimin e të pandehurit.
“Për arrestimin e tij na ka ardhë keq, t’ish kanë ky kriminel e kishim ditë,.. I pafajshëm është prej familjes tonë e prej popullit. Çka kam ni është i pafajshëm,.. Na kemi ardhë për drejtësi” – tha dëshmitarja ndër të tjera.
Tutje, dëshmitarja ka rrëfyer edhe momentet kur janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ajo tha se pasi të gjithë bashkëfshatarët kishin filluar që të dalin jashtë shtëpive të tyre, njëlloj kishin vepruar edhe ajo me familjen.
Dëshmitarja tha se më 31 mars 1999 te vendi i quajtur “Vrellë”, kanë ardhur forcat serbe me dy tanke, dhe me 3-4 kamionë, ndërsa policët kanë pasur uniforma me ngjyra lara-lara.
Sipas dëshmitares te vendi i quajtur “Vrella” kanë qenë diku 500 persona. Ndërsa forcat serbe që kishin ardhur te ky vend ku ishin bashkëfshatarët të strehuar tha se u kanë kërkuar para në gjuhën serbe.
Ajo tha se nga ky grup janë ndarë burrat nga gratë, ndërsa forcat serbe kanë qenë të armatosur dhe kanë pasur fytyrën e ngjyrosur.
Ndërsa lidhur me të akuzuarin, dëshmitarja tha se janë bashkëfshatarë, dhe se atë e njeh personalisht, mirëpo ajo tha nuk e ka parë në fshat pas luftës.
Tutje për të akuzuarin dëshmitarja tha se e njeh para kohës së luftës, në kohën kur i pandehuri ka qenë 14-vjeç.
Dëshmitarja tha se në mesin e të vrarëve është bashkëshorti dhe vjehrra e saj.
“Burri është vra te Vrella, vjehrra në shtëpi pas dy jave” – tha dëshmitarja.
Tutje, dëshminë para Gjykatës e ka dhënë edhe dëshmitari Enver Hoti.
Hoti tha se gjatë kohës së luftës ka qenë vazhdimisht në Kosovë në komunën e Malishevës dhe në fshatrat përreth kësaj komune.
Lidhur me masakrën në Burim të Malishevës, dëshmitari tha se ai së bashku me 3 shokë të tij, i ka parë viktimat të vrara, të masakruara dhe duke u djegur.
Sipas dëshmitarit disa viktima, në momentin kur ai i ka parë kanë qenë duke u djegur në rimorkio të traktorëve.
Tutje, dëshmitari ka dhënë sqarime edhe për një postim të tij të bërë në rrjete sociale pas arrestimit të të pandehurit Ramadan Morina.
Ai tha se këtë postim e ka bërë pasi iu ka kujtuar rasti i bashkëpunimit të disa personave duke e përfshirë këtu edhe të pandehurin me policinë serbe.
Sipas dëshmitarit ai ka dalë në këtë konstatim pasi që nga maji i vitit 1995 ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjatë kësaj kohe është kujdesur që të evidentojë bashkëpunëtorët shqiptarë të forcave serbe.
Sipas dëshmitarit këta persona që ai i ka evidentuar kanë komunikuar me policë serbë.
“Kanë komuniku me policinë serbe, kanë pi kafe, dhe për mendimin tonë kanë qenë bashkëpuntorë, se përndyshe ka qenë e pamundur me qëndru me ta” – tha dëshmitari.
Lidhur me të akuzuarin, dëshmitari tha se nuk e ka parë nga viti 1998, pasi sipas dëshmitarit i pandehuri ka banuar në Rahovec në lagjen e serbëve.
Dëshmitari tha se në këtë çështje penale është dëshmitar sepse i pandehuri me disa persona të tjerë ka bashkëpunuar me forcat serbe.
“Këtu jam dëshmitar sepse personi në fjalë dhe të tjerët kanë bashkëpunuar me okupatorin.” – deklaroi dëshmitari Enver Hoti.
I pyetur nga mbrojtja e të akuzuarit, se meqenëse dëshmitari e ka ditur rolin e të pandehurit pse nuk e ka denoncuar më herët në Polici. dëshmitari tha se pas luftës secili është marrë me punët e veta.
Ndryshe gjatë deklarimit të dëshmitarit Hoti avokati Arianit Koci pati vërejtje.
Sipas avokatit Koci gjatë dëshmisë së këtij dëshmitari po cenohet parimi i barazisë, pasi Prokurorisë po i lejohen pyetje që nuk janë objekt i akuzës ndërsa mbrojtjes nuk po i lejohet një gjë e tillë.
Trupi gjykues që po trajton këtë çështje penale është i përbërë nga gjyqtarët Rrahman Beqiri (kryetar), Violeta Namani-Hajra dhe Donikë Shala-Abdyli (anëtarë).
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 31.12.2026, Morina nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzën që i vihet në barrë nga Prokuroria Speciale.
“Nuk e pranoj fajësinë se prej 1998 deri në 1999 fare nuk kam qenë në Kosovë, kam dëshmi”- kishte deklaruar i akuzuari.
Ramadan Morina ishte arrestuar në mëngjesin e datës 12.08.2025 në Prishtinë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – krime lufte kundër popullatës civile.
Ndërsa seanca dëgjimore ndaj tij ishte mbajtur më 14.08.2025 në Gjykatën e Prishtinës.
DOSJA E PROKURORISË
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale i pandehuri Ramadan Morina po akuzohet se ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime fizike dhe psiqike , arrestime e vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së civilëve shqiptarë.
Prokuroria po pretendon se Morina këto veprime i ka kryer në vitin 1998 – 1999 në kohën e luftës në Kosovë.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari këto veprime i ka ndërmarrë në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, duke rënë ndesh me konventa ndërkombëtare.
Tutje në aktakuzë të Prokurorisë Speciale thuhet se Morina ka marrë pjesë në aksione ku të vrarë kanë mbetur mbi 30 civilë shqiptarë. Vrasje këto që Prokuroria i përmend të kenë ndodhur në fshatin Burim të komunës së Malishevës.
Vrasja ishte bërë në një aksion të armatosur, me tanke e autoblinda dhe forca këmbësorie e kishin rrethuar zonën ku ishin të strehuar mbi 1000 mijë qyetarë që ishin dëbuar nga disa fshatra të Malishevës.
Një qytetar ishte shtrirë si i vdekur me qëllim që t’i shpëtojë këtij aksioni të forcave serbe, i cili edhe është dëshmitar në këtë proces, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Me këto veprime i akuzuari Ramadan Morina akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, raporton Kallxo.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.




