Gjykata Speciale publikon përmbledhjen e aktgjykimit, çfarë dënimesh morën Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë?

Gjykata Speciale publikon përmbledhjen e aktgjykimit, çfarë dënimesh morën Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë?

Gjykata Speciale publikon përmbledhjen e aktgjykimit, çfarë dënimesh morën Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë?

Gjykata Speciale sot ka shqiptuar aktgjykimet dënuese ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Hajredin Kuçit dhe Fadil Fazliut, të akuzuar për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë.

Sponsor 3M Express

Më poshtë aktgjykimi i përmbledhur i publikuar nga Dhomat e Specializuara:

Hagë, 17 nëntor 2026 – Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ka shpallur aktgjykimin në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik.

Çështja ka të bëjë me pretendimet për pengim të drejtësisë në kuadër të një procesi tjetër gjyqësor në Hagë, atë ndaj Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ku ish-presidenti i Kosovës ishte një nga të akuzuarit.

Gjykatësi konstatoi se Thaçi u kishte zbuluar informacione konfidenciale për disa dëshmitarë personave që e vizituan në qendrën e paraburgimit gjatë vitit 2023. Po ashtu, përmes vizitorëve, ai u kishte përcjellë dëshmitarëve udhëzime se si duhej të dëshmonin në procesin gjyqësor për krime lufte.

Dënimet e shqiptuara

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit u shpallën fajtorë ose të pafajshëm si më poshtë:

– Hashim Thaçi u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Ai u dënua me 17 muaj burgim, dënim që do të mbahet veçmas nga çdo dënim tjetër që mund t’i shqiptohet në çështjen për krime lufte.

– Bashkim Smakaj u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës. U dënua me 12 muaj burgim, por, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, dënimi u konsiderua i vuajtur dhe ai u lirua.

– Fadil Fazliu u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës. Edhe ai u dënua me 12 muaj burgim, por dënimi u konsiderua i vuajtur për shkak të kohës së kaluar në paraburgim dhe u lirua.

– Hajredin Kuçi u shpall fajtor për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës dhe u dënua me një muaj burgim me kusht. Dënimi do të konsiderohet i vuajtur nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale sipas Kodit Penal të Kosovës gjatë një viti.

– Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.

Gjetjet e gjykatës për secilin grup

Grupi i Fadil Fazliut

Gjykatësi konstatoi se gjatë vizitës së tij në qendrën e paraburgimit, më 2 korrik 2023, Thaçi i kishte dhënë Fadil Fazliut udhëzime për t’ia përcjellë dëshmitarit të Prokurorisë, Rrustem Mustafës, lidhur me dëshminë e tij të ardhshme në procesin gjyqësor për krime lufte.

Një ditë pas vizitës, Fazliu ishte takuar me Mustafën dhe ia kishte përcjellë udhëzimet e Thaçit. Ato përfshinin edhe këshillën që dëshmitari të mohonte, nëse pyetej nga Prokuroria, se kishte marrë komunikime nga Thaçi.

Për këto veprime, Thaçi dhe Fazliu u shpallën fajtorë për tentativë për pengim të personave zyrtarë përmes veprimit të përbashkët.

Thaçi u shpall gjithashtu fajtor për zbulimin e informacionit konfidencial për dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë. Ai u shpall fajtor edhe për mosbindje ndaj gjykatës, për shkak të shkeljes së urdhrave që ndalonin kontaktet me dëshmitarët.

Ndërkaq, Fazliu u shpall fajtor për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës në lidhje me tentativën për pengim, por jo për ndihmë në zbulimin e informacionit konfidencial.

Grupi i Bashkim Smakajt

Gjykatësi konstatoi se gjatë vizitës së Bashkim Smakajt në qendrën e paraburgimit, më 7 tetor 2023, Thaçi i kishte dhënë atij udhëzime për t’ia përcjellë dëshmitarit të Prokurorisë, Bislim Zyrapi, para dëshmisë së tij të ardhshme.

Smakaj e kishte informuar Thaçin se kishte kontaktuar dëshmitarin para vizitës dhe se Zyrapi kishte kërkuar shpjegime të mëtejshme.

Gjatë takimit, Thaçi i kishte dhënë Smakajt edhe udhëzime me shkrim lidhur me dëshminë e Zyrapit. Këto dokumente më vonë u sekuestruan në banesën e Smakajt.

Provat digjitale vërtetuan se Smakaj ishte takuar me Zyrapin pas vizitës së 7 tetorit. Gjykatësi arriti në përfundimin se gjatë këtij takimi ishin diskutuar udhëzimet e dhëna nga Thaçi.

Për këto veprime, Thaçi dhe Smakaj u shpallën fajtorë për tentativë për pengim të personave zyrtarë përmes veprimit të përbashkët.

Thaçi u shpall gjithashtu fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Smakaj u shpall fajtor për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës në lidhje me tentativën për pengim, por jo për ndihmë në zbulimin e informacionit konfidencial.

Grupi i Isni Kilajt

Gjykatësi konstatoi se gjatë vizitës së Isni Kilajt në qendrën e paraburgimit, më 6 tetor 2023, Thaçi i kishte dhënë atij udhëzime të hollësishme se si duhej të dëshmonte një dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë. Ai i kishte dhënë gjithashtu kopje të deklaratave të mëparshme të dëshmitarit.

Megjithatë, gjykatësi vlerësoi se provat nuk dëshmuan që Kilaj kishte ndërmarrë ndonjë veprim për t’ia përcjellë këto udhëzime dëshmitarit të mbrojtur. Po ashtu, nuk u vërtetua përfshirja e një personi të tretë në veprimin e përbashkët të pretenduar.

Për këtë arsye, Thaçi dhe Kilaj u shpallën të pafajshëm për tentativë për pengim të personave zyrtarë përmes veprimit të përbashkët.

Megjithatë, Thaçi u shpall fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, pasi i kishte zbuluar Kilajt informacione konfidenciale për disa dëshmitarë të Prokurorisë.

Gjykatësi konstatoi se Kilaj nuk kishte ndihmuar në zbulimin e këtyre informacioneve dhe e shpalli atë të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Rasti i Hajredin Kuçit

Sa i përket Hajredin Kuçit, gjykatësi konstatoi se ai i kishte dërguar një mesazh dëshmitarit të Prokurorisë, Rrustem Mustafës, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës që ndalonte kontakte të tilla.

Kuçi dhe Thaçi u shpallën të pafajshëm lidhur me pretendimin për arritjen e një marrëveshjeje për kontaktimin e tre dëshmitarëve lidhur me dëshmitë e tyre, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme që vërtetonin se Kuçi kishte ndërmarrë hapa për t’i kontaktuar ata.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi theksoi peshën e veprave penale të kryera, duke nënvizuar se pengimi i detyrave zyrtare gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor përbën sulm ndaj integritetit të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se një përmbledhje më e hollësishme e aktgjykimit do të publikohet së shpejti në faqen e tyre zyrtare, ndërsa versioni i redaktuar publik i aktgjykimit do të jetë në dispozicion më vonë.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

OVL e UÇK-së: Vendimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve e cilëson të papranueshëm

OVL e UÇK-së: Vendimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve e cilëson të papranueshëm

OVL-UÇK reagon pas vendimit të Speciales ndaj Thaçit dhe të tjerëve: I pritshëm, por i papranueshëm

OVL-UÇK reagon pas vendimit të Speciales ndaj Thaçit dhe të tjerëve: I pritshëm, por i papranueshëm

Pastrohet shtrati i lumit në Skenderaj

Pastrohet shtrati i lumit në Skenderaj