Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin edhe ndaj Fadil Fazliut në kuadër të procesit gjyqësor kundër administrimit të drejtësisë, duke e dënuar atë me 12 muaj burgim.

Sipas vendimit të trupit gjykues, Fazliu është shpallur fajtor për dy vepra penale: tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe mosbindje ndaj gjykatës.
“Zoti Fazliu, unë ju shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, deklaroi gjykatësi gjatë shpalljes së vendimit.
Megjithatë, gjykatësi bëri të ditur se duke qenë se Fazliu ka kaluar në paraburgim një kohë më të gjatë sesa dënimi i shqiptuar, ky dënim prej 12 muajsh konsiderohet i shlyer.
Ky aktgjykim vjen në të njëjtin proces ku u shpallën vendimet edhe ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Hajredin Kuçit, Bashkim Smakajt dhe Isni Kilajt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





