Gërvalla ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në avancimin e reformave në drejtësi, forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, duke kërkuar nga partnerët evropianë të njëjtin nivel serioziteti dhe përgjegjësie.
“Për ne, sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit të drejtësisë, siguria publike dhe mbrojtja e të drejtave themelore nuk janë vetëm detyrime të procesit të integrimit evropian. Ato janë pjesë e domosdoshme dhe fundamentale e funksionimit të shtetit demokratik dhe e mbrojtjes së qytetarëve”, ka deklaruar Gërvalla.

Duke folur për reformën në drejtësi, ministrja ka veçuar Pakon e pesë projektligjeve, e cila parasheh ndryshime në rekrutimin, vlerësimin e performancës dhe kontrollin e integritetit të gjyqtarëve e prokurorëve, përgjegjësinë disiplinore, funksionimin e dy këshillave të drejtësisë dhe forcimin e Akademisë së Drejtësisë.
Ajo ka theksuar se projektligjet janë hartuar duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se kanë kaluar leximin e parë në Kuvend.
Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, Gërvalla ka pranuar se, krahas rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit gjyqësor, mbeten sfida në funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Ne nuk i shmangemi këtij vlerësimi. E konsiderojmë atë si detyrim për t’i përshpejtuar reformat, pa cenuar cilësinë e tyre, dhe për të siguruar rezultate të matshme në zbatim”, ka thënë ajo.
Ministrja ka folur edhe për funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, funksionimin e Gjykatës Administrative dhe nevojën për themelimin e Gjykatës për Çështje Familjare.
Gërvalla kërkon përgjegjësi nga BE-ja për këngën nacionaliste serbe
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj Gërvalla ia ka kushtuar edhe luftës kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, duke kërkuar koordinim dhe përgjegjësi të plotë nga të gjitha institucionet.
“Ngjarjet e fundit në Kosovë na kanë treguar se ligji dhe mekanizmat nuk mjaftojnë, nëse zinxhiri institucional nuk vepron në kohë, në koordinim dhe me përgjegjësi”, ka theksuar Gërvalla.
Në pjesën e fjalimit kushtuar marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, ministrja ka ngritur çështjen e këngës me pretendime nacionaliste serbe ndaj territorit të Kosovës, e cila është interpretuar më 15 nëntor gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit në Bruksel.
Gërvalla e ka cilësuar të papranueshme përfshirjen e një kënge të tillë në një aktivitet të Komisionit Evropian.
“E mirëpresim natyrisht sqarimin e Komisionerës Kos se kjo këngë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian, mirëpo të nderuar zonja dhe zotërinj, një sqarim nuk mjafton”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka kërkuar shpjegim për mënyrën e përzgjedhjes dhe miratimit të këngës, përcaktimin e përgjegjësisë dhe masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
Duke ritheksuar qëndrimin për sovranitetin e Kosovës, Gërvalla ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë në adresë të partnerëve evropianë:
“Pavarësia e Republikës së Kosovës në kontinentin evropian si shtet i pavarur dhe sovran është një realitet i cili sot nuk mund të mohohet më nga askush.”
Sipas saj, raste të tilla dëmtojnë kredibilitetin e Bashkimit Evropian dhe besimin në paanshmërinë e tij.
Në përmbyllje të fjalës, Gërvalla ka kërkuar që takimi të prodhojë përgjegjësi të qarta, hapa konkretë dhe mekanizma të matshëm për zbatimin e zotimeve.
“Kosova është shumë e gatshme ta bëjë pjesën e saj: t’i çojë përpara dhe t’i zbatojë reformat, të forcojë institucionet dhe të mbrojë të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve. Të njëjtin seriozitet dhe të njëjtën përgjegjësi e presim edhe nga partnerët tanë evropianë”, ka përfunduar Gërvalla.
Burimi: RTKLive





