Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka konfirmuar mbështetjen për kandidaturën e presidentit të Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, në garën për presidencën e FIFA-s.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, i cili ka konfirmuar se Gjermania do ta mbështesë Diallon në zgjedhjet që pritet të mbahen në muajin mars, ku ai synon të sfidojë presidentin aktual të FIFA-s, Gianni Infantino.
Mbështetja gjermane vjen pasi Diallo mori edhe përkrahjen e UEFA-s të hënën. Ndërkohë, pritet që nismës së tij t’i bashkohen edhe federata të tjera evropiane.
Duke shpjeguar vendimin e DFB-së, Neuendorf vlerësoi përvojën dhe qasjen e kandidatit francez, duke theksuar se ai përfaqëson një alternativë ndaj drejtimit aktual të FIFA-s.
“Philippe Diallo përfaqëson një qasje të përgjegjshme ndaj futbollit dhe është i vendosur të përballet me sfidat që e presin këtë sport në vitet e ardhshme. Ai ka përvojë të madhe në futbollin ndërkombëtar dhe gëzon respekt të gjerë në të gjithë futbollin evropian. Qasja e tij ndaj këtij posti dhe vlerat që përfaqëson janë dukshëm të ndryshme nga ato të presidentit aktual të FIFA-s”, deklaroi Neuendorf.
Gianni Infantino është përballur me kundërshtime pas tentativës së tij të dështuar në korrik për të përfshirë investitorë privatë në një strukturë të re komerciale, e cila do të menaxhonte të drejtat e lidhura me garat e mëdha, përfshirë Kupën e Botës.
Në atë kohë, UEFA kishte kërcënuar me bojkotimin e turneve të FIFA-s, por më vonë mori garanci se planet për shitjen e aksioneve në Kupën e Botës dhe garat e tjera madhore nuk do të riktheheshin.
“Ne duam që futbolli të ndryshojë për të mirë. Duam një FIFA që i shërben futbollit dhe vepron në interes të të gjitha federatave anëtare”, shtoi Neuendorf.
Përveç Diallos dhe Infantinos, në garën për presidencën e FIFA-s pritet të përfshihen edhe presidenti i nderit i Federatës Japoneze të Futbollit, Kozo Tashima, si dhe ish-mbrojtësi i përfaqësueses së Zvicrës, Ramon Vega.
Ndërkohë, përkrahjen për kandidaturën e Diallos e ka konfirmuar edhe Federata Holandeze e Futbollit, ndërsa në ditët në vijim pritet të bëhen të ditura qëndrimet e federatave të tjera evropiane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





