Prokuroria Federale e Gjermanisë njoftoi të enjten se ka urdhëruar arrestimin e dy shtetasve irakianë, të dyshuar si anëtarë të një organizate terroriste proiraniane.

Të dyshuarit janë identifikuar si Mostafa Al-R. dhe Ameer J. Ata u arrestuan në Heidelberg, në landin Baden-Württemberg, në jugperëndim të vendit, dhe në Këln, disa orë larg në veri.
Operacioni u krye nga zyrtarët e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë.
Prokuroria njoftoi gjithashtu se janë duke u zhvilluar kontrolle dhe bastisje në gjithsej 17 lokacione, në tri lande të ndryshme.
Sipas autoriteteve, dy burrat dyshohen fuqishëm për anëtarësim në një organizatë terroriste që vepron brenda vendit.
Prokurorët thanë se Mostafa Al-R. kishte lidhje me një person në SHBA, të njohur si Mohammad Al-Saadi, i cili akuzohet për themelimin e grupit me shkurtesën HAYI (Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiyya).
Ky grup dyshohet se është përgjegjës për një sërë sulmesh ndaj institucioneve amerikane, izraelite dhe hebraike në Evropë, që nga marsi i vitit 2026, pas nisjes së luftës së Donald Trumpit kundër Iranit.
Sipas akuzave, Mostafa Al-R. dhe Al-Saadi kishin themeluar një organizatë të veçantë në fund të vitit 2025, me qëllim përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve të tjera në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.
Burimi: Insajderi





