
Gjashtë vjet pas vdekjes së shqiptarit Saimir Sula në Barcelonë të Spanjës, familja e tij vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa misteri rreth zhdukjes së zemrës së tij mbetet ende i pazgjidhur.
Një investigim i publikuar nga gazeta spanjolle The Objective, më 31 tetor 2026, rikthen në vëmendje rastin, duke zbuluar se autoritetet shqiptare presin ende prova të rëndësishme nga Spanja.
Sipas raportimit, në korrik të vitit 2023 në Shqipëri mbërriti një zemër që dyshohet se i përket Saimir Sulës, por deri më tani nuk është arritur të konfirmohet përmes analizës së ADN-së nëse organi i përket vërtet atij.
Një nga problemet kryesore lidhet me mënyrën e ruajtjes së zemrës, e cila është transportuar në formalinë, substancë që mund të ketë dëmtuar materialin gjenetik dhe të ketë vështirësuar procesin e identifikimit.
Dyshimet janë shtuar edhe për shkak të një mospërputhjeje në dokumentacion. Sipas të dhënave të përmendura në investigim, në dokumentet që shoqëronin organin figuron data 22 prill 2020, ndërsa Saimir Sula ka ndërruar jetë më 9 maj të po atij viti, transmeton Telegrafi.
Kjo diferencë kohore ngre pikëpyetje të rëndësishme për familjen, e cila kërkon sqarime se kur dhe në çfarë rrethanash është marrë zemra.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës vazhdon hetimet për dyshimet mbi trafikimin e mundshëm të organeve dhe ka kërkuar nga autoritetet spanjolle 14 prova që konsiderohen të rëndësishme për zbardhjen e çështjes. Mes tyre janë pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet e spitalit, si dhe dëshmitë e mjekëve dhe punonjësve të sigurisë që kanë qenë në shërbim në kohën kur Saimir Sula ndodhej në spital.
Sipas The Objective, këto prova ende nuk janë siguruar nga autoritetet shqiptare, çka ka vështirësuar përparimin e hetimeve. Nga ana tjetër, Ministria spanjolle e Drejtësisë i ka deklaruar gazetës se ka trajtuar të gjitha kërkesat për ndihmë juridike ndërkombëtare që ka marrë nga Shqipëria.
Çështja është shoqëruar edhe me përplasje mes familjes dhe institucioneve spanjolle. Motra e viktimës, Majlinda Sula, vazhdon të kërkojë përgjigje për mënyrën se si është zhdukur zemra e vëllait të saj dhe pse, pas kaq shumë vitesh, nuk është arritur të bëhet një identifikim përfundimtar.
Ajo kërkon që të sigurohen të gjitha provat, të kryhen analizat e nevojshme dhe të sqarohet përgjegjësia për atë që familja e konsideron një ngjarje me shumë paqartësi.
Ndërkohë, spitali Hospital del Mar ka deklaruar se ka bashkëpunuar me hetimet policore dhe procedurat gjyqësore. Hetimi i zhvilluar në Barcelonë është mbyllur nga drejtësia spanjolle, ndërsa autoritetet shqiptare vazhdojnë të shqyrtojnë dyshimet për trafik të mundshëm organesh.
Pavarësisht viteve të kaluara, familja e Saimir Sulës ende nuk ka marrë përgjigjen përfundimtare se çfarë ndodhi me të dhe përse zemra e tij u nda nga trupi.
Deri më tani, dyshimet për trafikim organesh nuk janë vërtetuar me një vendim gjyqësor, ndërsa identiteti i organit të dërguar në Shqipëri mbetet i pakonfirmuar./Telegrafi/




