Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë gjithashtu se nëpunësit publikë do të përfitojnë edhe pagën e 13-të, e cila pritet të realizohet në pjesën e parë të vitit 2027.
“Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, buxheti i përgjithshëm për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro. Kurti ka thënë se kjo shumë, e ndarë për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, paraqet një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj.
“Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës të publikut, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj, gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës qysh në vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se rritja e pagave do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
“E sigurisht që rritja nuk ndalet me kaq, sepse do të vazhdojë secilin vit krahas rritjes”, ka deklaruar ai.
Duke folur për zhvillimet ekonomike, Kurti ka bërë me dije se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
Sipas tij, këto rezultate e rendisin Kosovën ndër vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon dhe më gjerë.
Sa i përket planifikimeve buxhetore për vitin 2027, Kurti ka bërë të ditur se buxheti i projektuar është 4.27 miliardë euro, që është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti bazë i këtij viti.
Nga kjo shumë, 908 milionë euro janë paraparë të ndahen si financim direkt për komunat e Kosovës.
“Ky është buxhet rekord edhe për komunat e Kosovës dhe kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare”, ka thënë Kurti.
Burimi: RTKLive




