Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se është ndaluar një person me inicialet E.A., nën dyshimin se kishte mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke kërkuar ndihmë financiare për shërimin e tij.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se më 9 nëntor 2026 kishte sajuar historinë për sëmundjen dhe kishte hapur një fushatë në platformën “GoFund”, përmes së cilës kishte mbledhur para kinse për trajtim dhe rehabilitim.
Pas verifikimit të historikut të tij shëndetësor, është konstatuar se ai nuk vuante nga leukemia akute, siç kishte pretenduar.
Shuma e mbledhur përmes kësaj fushate arrin në 189 mijë e 206 euro e 8 centë. Prokuroria njofton se paratë janë bllokuar në të gjitha llogaritë bankare të evidentuara në lidhje me rastin.
E.A. është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00, pas një periudhe kërkimi policor. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria dyshon se i njëjti ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323 i Kodit Penal të Kosovës.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se do të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi





