Me ftesën e kryetarit të Parlamentit Kroat, Gordan Jandrokoviq, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, qëndron për vizitë zyrtare kthimi në Republikën e Kroacisë. Në përbërjen e Delegacionit janë edhe kryetarja e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kroacisë, Bllagica Llasovska, dhe anëtarët e Grupit: Dimitar Kovaçevski, Kaltrina Beqiri dhe Sali Murati.

Siç njoftojnë nga Kabineti i tij, në fillim të vizitës zyrtare, Gashi dhe Delegacioni realizuan takim me nikoqirin e tyre, Jandrokoviq. Në takim morën pjesë edhe Armin Hoxhiq, nënkryetar i Parlamentit Kroat dhe Andro Krutulloviq Opara, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.
“Bashkëbiseduesit theksuan se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, të karakterizuara nga miqësia e sinqertë, besimi dhe respekti i ndërsjellë. Nga ana jonë, u shpreh mirënjohja për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për qëllimin tonë strategjik për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”.
“Në takim u konfirmua rëndësia e bashkëpunimit parlamentar dhe gatishmëria për të intensifikuar bashkëpunimin si midis Grupeve të Bashkëpunimit, ashtu edhe për vendosjen e partneritetit më të ngushtë midis shërbimeve të dy dhomave ligjvënëse për çështjet që lidhen me procesin e aderimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, u theksua se thellimi i lidhjeve institucionale dhe shkëmbimi i rregullt i përvojave dhe mendimeve përbëjnë bazën për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme dhe dypalëshe”.
“U theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme nga Kroacia në drejtim të zbatimit të vazhdueshëm të reformave që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe në këtë drejtim u theksuan 17 tvining-projekte të zbatuara tashmë dhe 4 që janë në vazhdim në fusha të ndryshme, me theks se mbështetja e rrugës sonë evropiane me intensitet të fortë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kryetari Gashi informoi gjithashtu se Marrëveshja e Bashkëpunimit Strategjik midis Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë, e nënshkruar më 26 maj 2026 në Ohër, si bazë për thellimin e partneritetit afatgjatë dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes forcimit të bashkëpunimit ekonomik, institucional dhe sektorial, me përfitime konkrete për të dy vendet, kaloi në Komisionin për Politikë të Jashtme më 10 nëntor dhe se është vënë në rendin e ditës të seancën plenare më 1 dhjetor, kur pritet edhe të miratohet”, thuhet në njoftim.





