Politikania shqiptare në Slloveni, Ganimet Shala, është emëruar raportuese për forcimin e zërit të fëmijëve në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, raporton albinfo.ch përcjell Dukagjini.
Emërimi është bërë i ditur gjatë sesionit të 51-të të Kongresit në Strasburg, ku përfaqësues nga vende të ndryshme evropiane kanë diskutuar për demokracinë lokale, qeverisjen dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve lokale e rajonale.

Në këtë rol, Shala do të angazhohet për përfshirjen e fëmijëve në vendimmarrje dhe marrjen parasysh të mendimeve të tyre në çështjet që ndikojnë në jetën dhe të ardhmen e tyre.
Ajo e ka cilësuar emërimin si nder dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar rëndësinë e dëgjimit të fëmijëve.
“Fëmijët nuk janë vetëm e ardhmja jonë, por edhe një pjesë e rëndësishme e së tashmes sonë. Prandaj është e drejtë që ne jo vetëm të dëgjojmë zërin e tyre, por edhe ta ndjekim atë”, ka shkruar Shala.
Sipas albinfo.ch, Shala ka marrë pjesë edhe në tri misione për vëzhgimin e zgjedhjeve, në Bosnjë e Hercegovinë, Estoni dhe Suedi, si dhe në disa sesione të Kongresit në Strasburg.
Burimi: Dukagjini




