Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se aktivitetet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të mërkurën vonë, pas takimit në Paris, vendet e G7-s shprehën kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje për ndryshimin e njëanshëm të status quo-së përmes forcës apo kërcënimit me të.
“Ne rikonfirmuam kundërshtimin tonë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në, veçanërisht përmes forcës ose detyrimit, apo kërcënimit për përdorimin e tyre”, thuhet në deklaratë.
Kina ka shtuar aktivitetet në brigjet lindore të Tajvanit që nga qershori, përmes patrullimeve të rregullta të rojës bregdetare. Zyrtarët tajvanezë dyshojnë se Pekini po përgatitet për një bllokadë të mundshme detare, duke përdorur mjete ushtarake, paramilitare dhe civile.
Pekini e ka kundërshtuar deklaratën e G7-s, duke e cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.
“Shpërfill faktet objektive, ndërhyn në mënyrë të vrazhdë në punët e brendshme të Kinës dhe shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit”, ka deklaruar Ministria e Jashtme kineze.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Mao Ning, ka thënë se deklarata “dëshmon edhe një herë se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë dhe angazhohet në politikën e blloqeve”.
Ndërkohë, Tajvani e ka mirëpritur mbështetjen e G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë thelbësore për sigurinë dhe prosperitetin global.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, ndërsa presidenti kinez, Xi Jinping, ka përsëritur thirrjen për “ribashkimin” e ishullit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





