Islam Makhachev, një nga emrat më të mëdhenj të UFC-së, ka reaguar për incidentin e dhunshëm ku u përfshi Usman Nurmagomedov dhe luftëtari Merab Dvalishvili.

Pamjet e përplasjes në hollin e një hoteli u bënë virale gjatë kësaj jave, pasi Dvalishvili dhe një mik i tij dyshohet se u sulmuan nga Nurmagomedov dhe disa persona të tjerë që e shoqëronin. Për shkak të lëndimeve që raportohet se ka pësuar, pjesëmarrja e gjeorgjianit në duelin e së shtunës në RAF Abu Dhabi kundër Marlon Moraes tashmë është vënë në pikëpyetje.
Kampioni aktual i UFC-së në kategorinë e peshave të lehta doli në mbrojtje të Nurmagomedovit përmes rrjeteve sociale, duke pretenduar se ky i fundit ishte provokuar nga Dvalishvili, i cili, sipas tij, kishte fyer nënën e dagestanezit.
“Për të gjithë ata që tani po e dënojnë Usmanin dhe të tjerët, duke i fyer: pse heshtët kur Merab e goditi pa asnjë arsye mundësin dagestanez Akhmed Gadjimagomedov dhe ia ofendoi nderin? Ai iu afrua vetëm për të biseduar, pa asnjë qëllim të keq”, shkroi Makhachev.
Ai vazhdoi duke pretenduar se përplasja e fundit ishte nxitur nga vetë Dvalishvili, gjatë një ngjarjeje të mëparshme në vendlindjen e tij.
“Ajo që ndodhi sot nisi nga Merabi, në vendin e tij, kur ai vendosi ta godiste një mysafir dhe ta fyente nënën e tij”, shtoi Makhachev.
Referenca e tij lidhet me një incident të muajit korrik, kur Dvalishvili raportohet se e kishte goditur me shuplakë mundësin rus 36-vjeçar, Akhmed Gadjimagomedov, gjatë një aktiviteti të RAF.
Ndërkohë, Dvalishvili dhe Usman Nurmagomedov kanë pasur përplasje edhe më parë.
Ata u përballën me deklarata të ashpra gjatë muajit korrik, ndërsa në janar të vitit 2025, gjeorgjiani kishte mbrojtur me sukses titullin e tij në kategorinë bantamëeight kundër Nurmagomedovit në UFC 311./Telegrafi/





