Përbindëshi legjendar Godzilla është rikthyer fuqishëm në ekranet e mëdha, duke kryesuar listën e filmave më të shikuar në kinematë e Amerikës së Veriut.
Filmi i ri japonez “Godzilla Minus Zero”, me regji të Takashi Yamazakit, grumbulloi rreth 31.6 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë të shfaqjes në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, sipas vlerësimeve të industrisë së filmit.

Ky rezultat përbën një rekord të ri për debutimin e një filmi aksion me gjuhë të huaj në tregun e Amerikës së Veriut.
Ngjarja e filmit zhvillohet në Japoninë e pasluftës, në vitin 1949, ku vendi përballet me një kërcënim të ri nga Godzilla dhe përbindëshi gjigant me tri koka, King Ghidorah.
Në vendin e dytë të arkëtimeve u rendit filmi i animuar “The Cat in the Hat”, me 20.5 milionë dollarë, ndërsa vendin e tretë e zuri “Drummer Boy”, me 9.3 milionë dollarë.
Suksesi i “Godzilla Minus Zero” vjen pas filmit paraprak “Godzilla Minus One”, i cili u prit mirë nga publiku dhe fitoi çmimin Oscar për efektet më të mira vizuale.
Filmi i ri ka arkëtuar gjithsej rreth 63 milionë dollarë në nivel global gjatë fundjavës së debutimit, duke dëshmuar interesin e madh të publikut ndërkombëtar për këtë produksion japonez.
Burimi: Dukagjini




