Fermín López ka minimizuar gjasat e tij për të konkurruar me Raphinhan për trofeun e Pichichit, pasi shënoi dy gola në fitoren 2-1 të Barcelonës ndaj Atletico Madridit, të dielën.

Mesfushori ishte vendimtar në triumfin e katalunasve në “Metropolitano”, duke shënuar golin e barazimit në minutat shtesë të pjesës së parë, përpara se të realizonte golin e fitores në minutën e 66-të.
I pyetur nëse mund të garojë me Raphinhan për çmimin e golashënuesit më të mirë të La Ligës, Fermín u shpreh se nuk beson se mund ta arrijë.
“Nuk besoj se do ta arrij, sepse Raphinha po luan në mënyrë të jashtëzakonshme dhe jam i sigurt se do të vazhdojë të shënojë gola! Për sa kohë që mund ta ndihmoj ekipin, jam i lumtur”.
22-vjeçari gjithashtu vlerësoi reagimin e Barcelonës pas pushimit mes pjesëve, duke shpjeguar se lojtarët e dinin se duhej të vazhdonin me ritmin dhe lojën që kishin treguar në fund të pjesës së parë.
“Në pushim e dinim se duhej të vazhdonim të luanim ashtu siç e përfunduam pjesën e parë”, deklaroi ai.
“Mendoj se ekipi zhvilloi një pjesë të dytë të jashtëzakonshme, si në aspektin defensiv, ashtu edhe në atë ofensiv. Jemi shumë të lumtur”, përfundoi Fermín. /Telegrafi/




