Evropa po hyn në një cikël të jashtëzakonshëm zgjedhor, i cili mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Gjatë vitit të ardhshëm, zgjedhje do të mbahen në katër nga pesë shtetet më të mëdha të BE-së, përfshirë Spanjën, Francën, Poloninë dhe Italinë.
Në këto vende, partitë nacionaliste dhe të djathta ekstreme po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje, duke rrezikuar pozitat e partive tradicionale.
Në Spanjë, koalicioni socialist i kryeministrit Pedro Sanchez përballet me humbje të mundshme, ndërsa në Francë Marine Le Pen shihet si kandidatja kryesore në garën presidenciale, raporton The Guardian.
Edhe në Poloni dhe Itali, partitë nacionaliste synojnë të forcojnë ndikimin e tyre politik.
Kjo rritje e së djathtës ekstreme po ndodh pavarësisht se 74 për qind e evropianëve konsiderojnë se vendet e tyre përfitojnë nga anëtarësimi në BE, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, partitë euroskeptike kërkojnë një Bashkim Evropian më të lirshëm, me më shumë kompetenca për shtetet anëtare dhe më pak ndikim nga institucionet qendrore.
Analistët vlerësojnë se rritja e kostos së jetesës, ngecja ekonomike, plakja e popullsisë dhe pakënaqësia ndaj partive tradicionale kanë ndikuar në këtë ndryshim politik.
Sipas tyre, zgjedhjet e ardhshme do të jenë një sprovë e rëndësishme për qëndrueshmërinë e BE-së.
Edhe nëse e djathta radikale nuk arrin ta shpërbëjë bllokun, ndikimi i saj mund ta vështirësojë vendimmarrjen e përbashkët dhe ta dobësojë rolin e Bashkimit Evropian në arenën ndërkombëtare./Klankosova.tv





