Një autosallon në magjistralen Prishtinë–Ferizaj është bërë cak i një sulmi të dyshuar me lëndë djegëse në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Dy persona që lëviznin me motoçikletë dyshohet se kanë hedhur një shishe me lëndë djegëse mes veturave të ekspozuara në autosallonin “Lip Auto”, duke shkaktuar zjarr, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 01:00, në afërsi të qendrës tregtare Prishtina Mall.
Sipas burimeve të Sinjalit, autosalloni është në pronësi të Xhevat Salihit, rreth 59 vjeç, i cili ka dhënë detaje për mënyrën se si dyshohet se është shkaktuar zjarri.
Sipas deklarimit të pronarit, dy persona të panjohur, të cilët po lëviznin me motoçikletë, dyshohet se kanë hedhur një shishe me lëndë djegëse në hapësirën ku ndodheshin veturat.
Pas këtij veprimi, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.
Zjarri është vërejtur nga sigurimi i autosallonit, i cili ka ndërhyrë menjëherë me aparat për fikjen e zjarrit, duke arritur ta shuajë para mbërritjes së zjarrfikësve.
Rasti është raportuar në Polici rreth orës 01:04, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas informacioneve fillestare, dëmet materiale nuk janë të mëdha, por vlera e tyre ende nuk është përcaktuar.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si vepër penale “Zjarrvënia” dhe i është kaluar njësisë së hetimeve për veprime të mëtejshme.
Dy personat që dyshohet se qëndrojnë pas sulmit ende nuk janë identifikuar.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





