Megaaksioni policor kundër bixhozit ilegal, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht më herët, po shkon drejt përfundimit me disa persona të arrestuar, armë e municion të sekuestruar dhe pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur për organizimin e lojërave të paligjshme të fatit. Operacioni është shtrirë në rreth 20 lokacione në Prizren, Suharekë dhe Dragash, pas një hetimi të gjatë që përfshinte edhe masa të fshehta hetimore.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se disa persona janë arrestuar gjatë aksionit dhe aktualisht po intervistohen, ndërsa bastisjet kanë përfunduar në një pjesë të lokacioneve.
Operacioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe në bazë të urdhëresave gjyqësore.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, kontrollet janë realizuar në rreth 20 lokacione, ku hetuesit kanë kërkuar prova që lidhen me organizimin e dyshuar të lojërave të paligjshme të fatit.
Përveç pajisjeve të bixhozit, gjenden edhe armë e municion
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike, të cilat dyshohet se janë përdorur për zhvillimin e veprimtarisë së paligjshme.
Por krahas pajisjeve elektronike, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armë e municion, të cilat do të trajtohen si prova në kuadër të veprimeve të mëtejshme hetimore.
Ende nuk është konfirmuar numri dhe lloji i armëve të sekuestruara, as në cilat prej lokacioneve janë gjetur ato.
Aksioni pas një hetimi me masa të fshehta
Siç raportoi më herët Sinjali, operacionit i ka paraprirë një periudhë e gjatë hetimesh, gjatë së cilës janë zbatuar masa të fshehta për dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar.
Informacionet e siguruara gjatë hetimeve kanë çuar në identifikimin e lokacioneve që janë bërë objekt i bastisjeve.
Hetuesit po synojnë të zbardhin mënyrën e organizimit të lojërave të paligjshme të fatit, të identifikojnë personat e përfshirë dhe të përcaktojnë lidhjet eventuale ndërmjet lokacioneve të kontrolluara.
Deri në këto momente, numri i saktë i të arrestuarve dhe bilanci përfundimtar i sendeve të sekuestruara mbeten për t’u konfirmuar.
Operacioni është drejt përfundimit, ndërsa Gazeta Sinjali do të raportojë për identitetet e personave të arrestuar dhe rezultatet e tjera të aksionit sapo të sigurojë informacione të reja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




