Një kontroll policor në fshatin Milloshevë të Obiliqit ka përfunduar me sekuestrimin e një pistolete dhe arrestimin e një 32-vjeçari, i cili dyshohet për armëmbajtje pa autorizim. Arma është dorëzuar gjatë kontrollit të veturës BMW që ai po drejtonte, ndërsa Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Shefki Sopi, rreth 32 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 21 nëntor, rreth orës 01:25, në pikën e kontrollit policor të njohur si “Te Rrethi”, në fshatin Milloshevë.
Sipas informacioneve të siguruara, zyrtarët policorë kanë ndaluar një veturë BMW, me ngjyrë të bardhë, të cilën po e drejtonte Sopi.
Gjatë kontrollit rutinë, shoferi ka dorëzuar një pistoletë të tipit “Crvena Zastava”, të kalibrit 7.65 mm, së bashku me një karikator dhe shtatë fishekë.
Arma dhe municioni janë sekuestruar nga hetuesi kujdestar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Sopi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, pas së cilës Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e ndërmarra.
Me vendim të Prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti penal për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave policore, 32-vjeçari është ndaluar për 48 orë.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





