Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim për lirimin nga masa e paraburgimit të biznesmenit Valon Lluka, ish-bashkëpunëtorit të biznesmenit Behgjet Pacolli.

Ky zhvillim vjen pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej një muaji, ndërsa Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes, duke e lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Lluka ishte ndaluar më 7 tetor 2026, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me aktivitetet ekonomike dhe transaksionet financiare.
Më 9 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej një muaji, masë që parashihej të zgjaste deri më 6 nëntor 2026.
Mbrojtja e Llukës, e përfaqësuar nga avokati Driton Muharremi, kishte kundërshtuar vendimin, duke pretenduar se nuk ekzistonin kushtet ligjore për mbajtjen e klientit të tij në paraburgim.
Megjithatë, më 16 tetor, Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes si të pabazuar.
Sipas vendimit të Apelit, ekzistonte rreziku i ndikimit te dëshmitarët dhe i ndërhyrjes në prova, ndërsa gjykata nuk kishte pranuar si të argumentuara pretendimet për rrezikun e arratisjes dhe përsëritjes së veprës penale.
Për çfarë dyshohet Valon Lluka?
Biznesmeni po hetohet për dyshime që lidhen me mashtrimin, shpërdorimin e pasurisë së huaj, keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike dhe lidhjen e kontratës së dëmshme.
Në dokumentet gjyqësore janë përmendur edhe dyshime lidhur me administrimin e një granti për kompaninë “Hirano Mushrooms”, si dhe transaksione financiare të kompanisë “Isdiar LLC”.
Në kuadër të këtyre dyshimeve janë përmendur pagesa prej qindra mijëra eurosh dhe dollarësh, të cilat janë objekt i hetimeve.
Lluka njihet si ish-drejtor në kompanitë e grupit Mabetex dhe ish-administrator i shoqërisë koncesionare të Aeroportit të Vlorës.
Ai ka qenë gjithashtu në qendër të një përplasjeje publike me ish-presidentin Behgjet Pacolli, lidhur me pretendimet për keqpërdorime financiare, të cilat mbeten çështje të kontestuara.
Vendimi për lirimin nga paraburgimi nuk nënkupton përfundimin e procedurës penale apo shpalljen e pafajësisë së tij.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali




