Një aheng familjar në Kopiliq të Poshtëm të Skenderajt ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi festa për djalin e familjes është shoqëruar me të shtëna me armë. Një informatë e pranuar përmes aplikacionit mobil ka vënë në lëvizje njësitë policore, të cilat kanë bastisur shtëpinë dhe kanë sekuestruar një pistoletë me gaz, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Albert Shala, i moshës rreth 53-vjeçare, nga Skenderaj.
Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 16 nëntor, rreth orës 22:00, kur në fshatin Kopiliq i Poshtëm po mbahej një aheng familjar i organizuar nga i dyshuari për djalin e tij.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Policia kishte pranuar një njoftim për të shtëna me armë gjatë festës, pas së cilës njësitë përkatëse kishin dalë në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë ku ishte organizuar ahengu.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz të tipit Zoraki, së bashku me një karikator pa municion.
Pas intervistimit, Shala ka pranuar para hetuesve se kishte shtënë me pistoletën me gaz gjatë festës që e kishte organizuar për djalin e tij.
Pas këtyre veprimeve, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për dy vepra penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





