Një dalje për kafe me të dashurin, me të cilin kishte nisur lidhjen vetëm tri javë më parë, dyshohet se përfundoi me dhunim seksual për një 28-vjeçare në Llapnasellë të Graçanicës. Sipas denoncimit, burri e kishte dërguar në motelin “Delfin”, pavarësisht refuzimit të saj, duke i thënë se vetëm do të bisedonin, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 15 nëntor, rreth orës 15:45, ndërsa gruaja, e identifikuar me inicialet D.K., e ka denoncuar rastin në Polici mbrëmjen e 16 nëntorit.
Sipas burimeve të Sinjalit, personi i identifikuar si i dyshuar është Armend Hajrizi, rreth 29-vjeçar..
Në deklaratën e saj, gruaja ka rrëfyer se i dashuri kishte shkuar ta merrte nga shtëpia me veturë, me marrëveshjen se do të dilnin për kafe.
Mirëpo, gjatë rrugës, ai i kishte thënë se do të shkonin në motel, kërkesë të cilën ajo e kishte refuzuar.
Pavarësisht kundërshtimit të saj, sipas denoncimit, i dyshuari kishte vazhduar drejt motelit “Delfin” në Llapnasellë dhe kishte hyrë me veturë në garazhin e objektit.
Pasi ishte mbyllur dera e garazhit, ai i kishte thënë se vetëm do të bisedonin.
Denoncuesja ka deklaruar se kishte hezituar të hynte në dhomë, por i dyshuari e kishte kapur për dore dhe e kishte futur brenda, ku dyshohet se kishte kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj.
Pas ngjarjes, sipas deklarimit të viktimës, ai e kishte kthyer me veturë deri në afërsi të shtëpisë.
Hetuesit kanë dalë në motelin “Delfin” për të mbledhur informacione dhe për të verifikuar rrethanat e denoncimit.
Nga të dhënat e siguruara përmes kamerave të sigurisë është identifikuar një veturë BMW me ngjyrë të bardhë, të cilën, sipas informacioneve policore, e drejtonte personi i dyshuar.
Pas intervistimit të gruas, hetuesit kanë kontaktuar Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar që ajo t’i nënshtrohej ekzaminimit mjekësor.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara nga Sinjali, gjatë ekzaminimit janë evidentuar shenja fizike që, sipas personelit që e ka kryer kontrollin, mbështesin dyshimin për dhunim. Këto gjetje nuk përbëjnë vetvetiu përfundim për fajësinë e të dyshuarit.
Pas konsultimeve me Prokurorinë, rasti është iniciuar për veprën penale “Dhunim” dhe i është kaluar për trajtim Njësisë së Hetimeve Rajonale.
Në informacionet e deritanishme nuk konfirmohet arrestimi i të dyshuarit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





