Gadi Eisenkot, kandidat për kryeministër të Izraelit, bëri thirrje të shtunën për bisedime të menjëhershme për formimin e një koalicioni me Benjamin Netanyahun.

Kjo ndodhi pak orë pasi kryeministri aktual propozoi një qeveri të unitetit kombëtar, në të cilën të dy liderët do ta ndanin postin e kryeministrit me rotacion.
“Nëse Likud-i është gati për një unitet të vërtetë, unë jam i gatshëm të shoh se sa serioz është ai gjatë 24 orëve të ardhshme. I ftoj Netanyahun dhe ekipin e tij të më bashkohen sonte në hotelin ‘Dan Accadia’ në Herzliya… për të zhvilluar negociata të mirëfillta dhe të përshpejtuara”, deklaroi Eisenkot, duke iu referuar partisë së Netanyahut.
Eisenkot akuzoi partinë Likud se ka penguar vazhdimisht negociatat për koalicionin gjatë tri javëve të fundit, duke theksuar se ajo ende nuk i është përgjigjur një propozimi të detajuar të dorëzuar të dielën e kaluar.
Ai nënvizoi se çdo qeveri uniteti duhet të bazohet në vlera të përbashkëta dhe në një marrëveshje mbi çështje kyçe të politikave.
Dy liderët pritet të takohen të dielën, në orën 10:00 (me orën lokale), në hotelin “Dan Accadia” në Herzliya.
Më herët gjatë së shtunës, Netanyahu kishte shprehur gatishmërinë që Eisenkot të shërbente fillimisht si kryeministër, sipas një marrëveshjeje të propozuar për ndarjen e pushtetit, që synon t’i japë fund ngërçit politik në Izrael.
Në një deklaratë ku shpaloste propozimin e tij, Netanyahu u shpreh se, si lider i partisë më të madhe, ai normalisht do të duhej të drejtonte një qeveri të unitetit kombëtar, por shtoi se është i gatshëm ta lërë mënjanë këtë parim në interes të kombit.
Pozicioni i kryeministrit alternativ u krijua në vitin 2020 përmes një ndryshimi në Ligjin Bazë të Izraelit që rregullon ekzekutivin, si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit midis Netanyahut dhe udhëheqësit të atëhershëm të partisë Blu dhe Bardhë, Benny Gantz.
Pozicioni mbart një status të veçantë ligjor.
Sipas precedentit ligjor izraelit, ministrat e kabinetit duhet të japin dorëheqjen nëse akuzohen për akuza të rënda penale, por kjo kërkesë nuk shtrihet tek kryeministri ose kryeministri alternativ.
Marrëveshja ishte hartuar për të lejuar Netanyahun të qëndronte në qeveri pasi t’ia dorëzonte kryeministrinë Gantz, megjithëse rotacioni i planifikuar nuk u zhvillua kurrë. /Telegrafi/




