Një ngjarje e dhimbshme është regjistruar në fshatin Sadovinë e Jerlive të Vitisë, ku një i moshuar që jetonte i vetëm është gjetur pa shenja jete në shtratin e tij. Rasti është raportuar nga një familjar, ndërsa Policia dhe Prokuroria kanë nisur veprimet për sqarimin e rrethanave të vdekjes, mëson Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Haki Fazliun, 86-vjeçar.
Ngjarja është raportuar të mërkurën, më 18 nëntor, kur një kushëri i të ndjerit kishte njoftuar Policinë se Fazliu dyshohej se kishte ndërruar jetë në shtëpinë ku banonte i vetëm.
Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit rajonalë dhe njësia e kriminalistikës.
Në shtëpi ka mbërritur edhe ekipi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Viti, ku mjeku ka konstatuar se 86-vjeçari ishte pa shenja jete.
Rasti ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Prokurorisë së Shtetit, ndërsa në vendngjarje kanë dalë hetuesit për ekzaminimin e hapësirës dhe përfaqësuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore për ekzaminimin e trupit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Nga informacionet e deritanishme nuk janë bërë të ditura rrethana që do të përcaktonin shkakun e vdekjes së të moshuarit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





