Putini vendos kusht për përfshirjen evropiane në bisedimet për luftën në Ukrainë

Putini vendos kusht për përfshirjen evropiane në bisedimet për luftën në Ukrainë

Putini vendos kusht për përfshirjen evropiane në bisedimet për luftën në Ukrainë

Udhëheqësi rus Vladimir Putin ka deklaruar se Kremlini është i gatshëm të përfshijë përfaqësues evropianë në negociatat për Ukrainën, por vetëm pasi ata të shkojnë në Moskë për të diskutuar propozimet e tyre.

Sponsor 3M Express

Ai i bëri këto komente gjatë një konference për shtyp pas një takimi trepalësh me liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në Shenzhen, raportoi shërbimi rus i BBC-së, sipas agjencisë Ukrinform, përcjell Telegrafi.

Kreu i Kremlinit pohoi se Rusia është pajtuar që siguria e Ukrainës “duhet të përfshihet në sigurinë evropiane”, duke shtuar se “do të ishte e çuditshme të diskutohej për sigurinë e Evropës pa Evropën”.

“Kjo është arsyeja pse ne ramë dakord (për përfshirjen evropiane – shën. red.), por fillimisht ata duhet të vijnë në Moskë që të mund ta diskutojmë këtë me ta”, citohet të ketë thënë Putini.

Njëkohësisht, ai i cilësoi si “të kota” përpjekjet e vendeve perëndimore për “të na shtyrë diku ku nuk kemi ndërmend të shkojmë”, veçanërisht sa i përket çështjes së territorit.

Sipas kreut të Kremlinit, Rusia nuk do të “lëvizë” nga qëndrimi i saj për këtë çështje.

Putini përsëriti se Moska niset nga “realitetet në terren”, që do të thotë se Rusia nuk ka ndërmend t’i kthejë Ukrainës territoret që ka pushtuar që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të gjerë, thuhet në raportim.

“Ne nuk do të sakrifikojmë asgjë; synojmë të kërkojmë kompromise dhe besojmë se ato janë të mundshme”, tha ai.

Sipas Putinit, dhënia fund e luftës do të kërkonte që qeveritë e Ukrainës dhe të vendeve evropiane t’i pranojnë këto të ashtuquajtura realitete në terren dhe të bien dakord për formalizimin e tyre.

Kujtojmë se të enjten, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen të Kinës, presidenti amerikan Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan një takim trepalësh. /Telegrafi/

Lexo edhe

Mickoski nga Berlini: Maqedonia e Veriut mbështet paqen e drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë

Mickoski nga Berlini: Maqedonia e Veriut mbështet paqen e drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë

OVL e UÇK-së kërkon përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen

OVL e UÇK-së kërkon përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen

Policia interviston 6 zyrtarë të Komunës së Prishtinës, përfshirë drejtorin e Inspekcionit

Policia interviston 6 zyrtarë të Komunës së Prishtinës, përfshirë drejtorin e Inspekcionit