Një pushim i zakonshëm gjatë ditës së punës është kthyer në tragjedi për një 53-vjeçar nga Istogu, i cili ka ndërruar jetë papritur në fshatin Budakovë të Suharekës. Burri po qëndronte me kolegët e tij kur, sipas dëshmitarëve, trupi filloi t’i dridhej dhe gjendja e tij u përkeqësua. Ndihma mjekësore nuk arriti t’ia shpëtonte jetën.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktima është Elez Fetahu (53), nga Gurrakoci i Istogut, punonjës i kompanisë “Conect L.L.C.”.
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 3 nëntor, rreth orës 14:30, në fshatin Budakovë, ku 53-vjeçari ndodhej së bashku me punëtorë të tjerë.
Sipas dëshmive të dhëna në Polici, punëtorët ishin duke pushuar kur Fetahut papritur i kishin filluar dridhjet e trupit.
Kolegët kanë dyshuar se mund të bëhej fjalë për një atak kardiak, por shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur patrulla policore dhe ekipi mjekësor, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e 53-vjeçarit.
Rasti ka vënë në lëvizje edhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë dalë në lokacion për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Pas konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, është vendosur që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.
Rreth orës 17:30, ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka mbërritur në vendngjarje dhe ka bërë tërheqjen e trupit.
Për vdekjen janë njoftuar edhe familjarët e Fetahut.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa pritet që ekzaminimet mjekoligjore të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali



