Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka folur për dorëheqjen e Bedri Hamzës nga drejtimi i partisë, duke bërë të ditur se ky vendim nuk ishte befasi për udhëheqjen e kësaj partie.

Në emisionin “Rubikon”, Çitaku ka sqaruar se Hamza i kishte paralajmëruar anëtarët e kryesisë dhe grupit parlamentar për largimin e tij shumë kohë më parë.
Ajo ka thënë se dorëheqja e tij dhe çështja e Ligjit për Specialen kanë rastisur të ndodhin në të njëjtën periudhë, por sipas saj, vendimi i Hamzës ishte paralajmëruar paraprakisht.
“Çështja e ligjit dhe dorëheqjes së kryetarit Bedri Hamza aksidentalisht ka rastisur të jetë në të njëjtën kohë. Bedri Hamza, ne që jemi në kryesi, por edhe grupin parlamentar, na ka paralajmëruar shumë kohë më herët që do të largohet nga udhëheqja e PDK-së. Për ne nuk ka qenë befasi”, ka deklaruar Çitaku, transmeton Klankosova.tv.
Ajo ka treguar se drejtuesit e partisë kishin kërkuar nga Hamza që të qëndronte në krye të PDK-së deri në përfundimin e procesit të brendshëm zgjedhor, por se një kërkesë e tillë nuk e kishte ndryshuar qëndrimin e tij.
“E kemi lutur, kemi kërkuar nga Hamza që të qëndrojë në krye të PDK-së deri në përfundimin e procesit të brendshëm zgjedhor, mirëpo në të njëjtën kohë kemi pasur edhe mirëkuptim, meqë një paralajmërim të tillë Hamza na e ka bërë shumë kohë më herët”, u shpreh ajo.
Çitaku ka zbuluar gjithashtu se Hamza ua kishte bërë të qartë se po priste përfundimin e procesit gjyqësor në Hagë përpara se të largohej nga udhëheqja e partisë.
“Ai na ka thënë shprehimisht që po e presim vetëm verdiktin në Hagë dhe më pas do të largohem nga udhëheqja e partisë”, ka deklaruar Vlora Çitaku në “Rubikon”./Klankosova.tv




