Gjatë natës, qytetarët e Sarajevës dhe qyteteve përreth ndjenë një tërmet që ndodhi në orën 01:17.

Pak më shumë se tre orë më vonë, në orën 04:35, dridhje u regjistruan edhe në Blagaj dhe vendbanime të tjera rreth Mostarit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas tyre, Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC) nuk ka ende të dhëna të sakta mbi këto aktivitete sizmike, prandaj ende nuk dihet se cila ishte magnituda e tërmetit ose ku ishte epiqendra.
Megjithatë, deri në orët e mëngjesit, faqja e internetit e EMSC kishte marrë deri në 296 raportime nga qytetarët që ndjenë dridhjet në zonën e Sarajevës – dhe jo vetëm.
Sipas përshkrimeve të tyre, ishte një goditje e shkurtër që zgjati vetëm një deri në dy sekonda, por ishte mjaft e fortë për të zgjuar shumë qytetarë.
Ndërsa disa thonë se tërmeti ishte i dobët, të tjerë, ndoshta duke përfshirë banorët e kateve të sipërme të ndërtesave, e përshkruajnë atë si dukshëm më të fortë.
Është interesante se shumica e qytetarëve, përveç dridhjeve, raportuan edhe një zhurmë të fortë që i parapriu tërmetit, të cilin e krahasuan me një shpërthim.
Ndërkohë, raportohet se dridhje toke u regjistrua edhe në afërsi të Mostarit, ku qytetarët e ndjenë tërmetin në orën 04:35.
EMSC ende nuk ka të dhëna të sakta për magnitudën, epiqendrën dhe thellësinë e këtij tërmeti.
Deri në mëngjes, 16 raportime ishin regjistruar në faqen e tyre të internetit.
Banorët e këtyre vendeve raportuan një dridhje të fortë, por jetëshkurtër, që zgjoi shumë njerëz.
Disa prej tyre vunë re se një zhurmë e ngjashme me bubullimën u dëgjua gjatë dridhjes.
Madje një banore tha se në fillim mendoi se diçka kishte shpërthyer në shtëpinë e saj. /Telegrafi/




