Dokumenti/ Si dështoi përpjekja e Bashkim Ulajt për të marrë 61 hektarë tokë shtetërore në Koplik për 99 vjet

Dokumenti/ Si dështoi përpjekja e Bashkim Ulajt për të marrë 61 hektarë tokë shtetërore në Koplik për 99 vjet

Dokumenti/ Si dështoi përpjekja e Bashkim Ulajt për të marrë 61 hektarë tokë shtetërore në Koplik për 99 vjet

Me Urdhrin Nr. 125, ish-ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, kishte nisur procedurën për dhënien e 61 hektarëve tokë shtetërore në Koplik, kompanisë “Gener 2” të Bashkim Ulajt, për një periudhë 99-vjeçare. Procedura u zhvillua me vetëm një ofertues, ndonëse, sipas dokumentit, ligji kërkonte më shumë se dy oferta. Projekti u kundërshtua nga përfaqësuesit e tri ministrive dhe, në mbledhjen e 29 gushtit 2023, komisioni vendosi ta anulonte.

Sponsor 3M Express

Përveç 150 hektarëve tokë në Rrjoll të Velipojës, Bashkim Ulaj kishte synuar të merrte edhe 61 hektarë tokë shtetërore në zonën e Koplikut të Sipërm, në Bashkinë Malësi e Madhe.

Projekti, me objekt “TEDA – Ndërtim i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Koplik për veprimtari prodhuese, industriale, turistike, hotelerie, agro-përpunim, tregtim, argëtime e shërbime të ndryshme”, ishte iniciuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Për zhvillimin e procedurës ishte angazhuar ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila kishte krijuar një komision të posaçëm për pranimin dhe vlerësimin e ofertave. Sipas legjislacionit, në këtë procedurë duhej të kishte më shumë se dy oferta.

Megjithatë, procedura u zhvillua me kompaninë “Gener 2” të Bashkim Ulajt si të vetmen pjesëmarrëse, në kundërshtim me kriterin ligjor që kërkonte më shumë se një ofertë.

Gjithçka nisi me Urdhrin Nr. 125, të datës 26 maj 2023, të nënshkruar nga ministrja e atëhershme e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Përmes këtij urdhri ishte nisur procedura për përzgjedhjen e subjektit zhvillues të projektit “TEDA – Zona e Teknologjisë dhe Ekonomisë në Koplik-Malësi e Madhe”, me afat deri më 10 korrik 2023.

Më 10 korrik, ditën kur duhej të dorëzoheshin ofertat, komisioni, përmes një procedure të cilës dokumenti i referohet si formale dhe fiktive, shpalli fituese kompaninë “Gener 2” për realizimin e projektit “TEDA-Koplik”, në një sipërfaqe prej 61 hektarësh.

Megjithatë, sipas ligjit, procedura duhej të organizohej dhe zhvillohej nga Njësia e Hartimit të Dokumenteve të Projekteve TEDA, ku duhej të kishte përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në vend të kësaj, procedurën e zhvilloi vetëm Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Kjo ministri shpalli fituese kompaninë “Gener 2”, ndërsa, sipas procesverbalit të datës 10 korrik, vendimi u regjistrua në Zyrën e Protokollit.

Por, sipas procesverbalit të 9 gushtit 2023, vetë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pasi kishte kuptuar se procedura ishte në kundërshtim me ligjin, kërkoi që shpallja e fituesit të shtyhej për 20 ditë. Po ashtu, komisioni kërkoi konsultime me përfaqësuesit e tri ministrive, me synimin që kontrata të mbetej në fuqi.

Sipas dokumentit, marrëveshja për t’ia dhënë tokën kompanisë së Bashkim Ulajt ishte iniciuar nga Edi Rama dhe ishte zbatuar përmes ish-ministres Delina Ibrahimaj, në kundërshtim me ligjet. Megjithatë, procedura u kundërshtua nga përfaqësuesit e tri ministrive, të cilët ishin anëtarë të komisionit. Sipas dokumentit, kundërshtimi erdhi edhe nga frika e tyre, pasi ishin informuar se procedura e kundërligjshme ishte denoncuar në SPAK.

Më 29 gusht 2023, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u mbajt mbledhja e Komisionit të Projektit dhe Ofertave. Në rend dite ishte shqyrtimi i dokumentacionit dhe rivlerësimi i kompanisë së shpallur fituese.

Gjatë kësaj mbledhjeje, përfaqësuesit e ministrive shprehën qëndrimet e tyre për projektin dhe kompaninë “Gener 2”.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, zonja Gj.A., u shpreh pro projektit dhe kompanisë fituese “Gener 2” sh.p.k. Ajo argumentoi se bëhej fjalë për një projekt me rëndësi për zhvillimin ekonomik kombëtar dhe se kompania kishte kapacitetet e nevojshme për realizimin e investimit.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Ministrisë së Bujqësisë, zonja M.Sh., u shpreh kundër projektit, me arsyetimin se ai nuk ishte në përputhje me legjislacionin për Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht zonat TEDA.

Sipas saj, projekti ishte në kundërshtim me VKM-në nr. 463/2016, e cila përcakton llojet e veprimtarive të lejuara në zonën e Koplikut, si dhe me ligjin për administrimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e tokës.

Edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, zonja M.K., u shpreh kundër projektit. Ajo argumentoi se nuk kishte bazë ligjore për zhvillimin e tij sipas dokumenteve të planifikimit në fuqi, pasi funksioni agro-fotovoltaik nuk ishte i përcaktuar si përdorim i lejuar në asnjërën prej kategorive.

Kundër projektit u shpreh edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, zonja B.C. Ajo vlerësoi se projekti për krijimin e Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik TEDA në Koplik nuk ishte në përputhje me legjislacionin për këto zona.

Në fund, përballë kundërshtimit të përfaqësuesve të tri ministrive, të cilët përbënin shumicën e votave në komision, kryetari i tij, zoti A.B., përfaqësues i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shpalli të anuluar projektin dhe kontratën me kompaninë “Gener 2” të Bashkim Ulajt.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Gjakovë, evidentohen shkelje të masave të sigurisë

Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Gjakovë, evidentohen shkelje të masave të sigurisë

Partitë Popullore Evropiane propozojnë pezullimin e partisë së Vuçiqit

Partitë Popullore Evropiane propozojnë pezullimin e partisë së Vuçiqit

“Rifillim i bisedimeve dhe tema e Kosovës” – Koopman flet për zhvillimet politike në Serbi pas fitores së opozitës

“Rifillim i bisedimeve dhe tema e Kosovës” – Koopman flet për zhvillimet politike në Serbi pas fitores së opozitës