Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mallra të padeklaruara gjatë kontrollit doganor në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.

Sipas njoftimit, në këtë pikë kufitare janë paraqitur për kontroll disa kamionë të ngarkuar me automjete, për të cilët paraprakisht ishin paraqitur deklaratat përkatëse për procedurën e zhdoganimit.
“Gjatë kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit, si dhe harmonizimit të të dhënave të deklaruara me gjendjen faktike të mallrave, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se, ndonëse pesha e ngarkesës përputhej me atë të deklaruar, në dokumentacion nuk ishte përfshirë një pjesë e mallit, përkatësisht sistemi i shkallëve rrëshqitëse për kabinën e automjeteve.”, thuhet në njoftim.
Vlera e mallrave të padeklaruara, sipas njoftimit, pa përfshirë detyrimet doganore dhe tatimore, është vlerësuar në rreth 27,000 euro.
“Rasti është duke u trajtuar nga Dogana e Kosovës në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, ndërsa veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në pajtim me dispozitat përkatëse të Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave. Dogana e Kosovës rikujton se deklarimi i saktë dhe i plotë i të gjitha mallrave është obligim ligjor për të gjithë pjesëmarrësit në procedurat doganore. Çdo mospërputhje ndërmjet të dhënave të deklaruara dhe gjendjes faktike të mallrave i nënshtrohet verifikimit dhe trajtimit nga autoritetet doganore.”, është thënë në njoftimin e Doganave të Kosovës. /Klankosova.tv




