Konsulli Vigan Berisha është takuar me Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, në kuadër të një takimi të shkurtër dhe pritjeje zyrtare në Bernë, ku me këtë rast i ka dhuruar një punim artistik me domethënie të veçantë, të realizuar nga gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan Telegrafi.

“Me këtë rast, patëm nderin t’i dhuronim Presidentit një punim artistik me domethënie të veçantë, të realizuar nga gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në kuadër të Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave. Ky punim simbolizon historinë, qëndresën, guximin dhe dinjitetin e grave që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Zvicër.
Në vijim të kësaj dite, Berisha, së bashku me kolegët e Korit Konsullor në Cyrih, ka zhvilluar edhe një vizitë në Sallën e Këshillit Kombëtar të Parlamentit Federal të Zvicrës në Bernë, ku janë njohur më nga afër me traditën parlamentare, organizimin dhe funksionimin e institucioneve federale zvicerane.
Sipas Ambasadës, kjo vizitë përbënte një mundësi të çmuar për shkëmbim institucional dhe forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit në kuadër të komunitetit diplomatik dhe konsullor në Zvicër./Telegrafi/




