Për të gjashtën ditë radhazi, në Prishtinë është protestuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës.
Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka mbledhur qytetarë në sheshin “Zahir Pajaziti”, të cilët kanë kërkuar drejtësi për gratë e vrara dhe siguri për ato që përballen me dhunë.

“Drejtësi për gratë e vrara, siguri për gratë e gjalla” dhe “Dhunuesit e grave në burg” ishin disa nga thirrjet e protestuesve.
Ata mbanin pankarta me mbishkrimet “Poshtë sistemi patriarkal”, “Me Arlindën përfundon” dhe “Sytë e saj do t’ju ndjekin, lotët e saj do t’ju djegin!”.
Protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi nga institucionet për mosveprimin ndaj paralajmërimeve të Arlindës për rrezikun që i kanosej, duke theksuar se ajo kishte kërkuar ndihmë, por nuk ishte mbrojtur.
Protestat kanë vazhduar çdo ditë që nga vrasja e saj, me kërkesa për llogaridhënie institucionale dhe trajtim më të përgjegjshëm të rasteve të dhunës në familje.
Burimi: RTKLive




