Në shumicën e rasteve, viktimat janë gra, ndërsa të dyshuarit janë burra. Disa prej tyre janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Në Podujevë, një grua ka raportuar se ishte viktimë e dhunës nga një burrë. Pas intervistimit, ajo është larguar nga shtëpia, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

Katër raste janë raportuar në Prishtinë. Në njërin prej tyre, i dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt. Në një rast tjetër, një i dyshuar është vetëdorëzuar në polici për një ngjarje të raportuar më 12 nëntor dhe është dërguar në mbajtje. Ndërkaq, në një rast të ndodhur në orët e vona të së martës, një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa viktimës i është ofruar tretman mjekësor.
Në Ranillukë është raportuar një rast i dhunës në familje dhe lëndimit të lehtë trupor. Sipas policisë, pas një mosmarrëveshjeje janë sulmuar dy persona, ndërsa njëri prej viktimave ka pësuar lëndime dhe ka marrë tretman mjekësor. Të dyshuarit janë liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është raportuar në Pejë, ku një grua ka denoncuar dhunën nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës dhe është larguar nga lokacioni.
Në Gjakovë, një grua ka njoftuar policinë se ishte kanosur përmes telefonit. I dyshuari është arrestuar dhe, pas konsultimit me prokurorin, është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Rahovec, një grua ka raportuar dhunë nga një burrë ndaj saj dhe viktimave të tjera. I dyshuari, i cili sipas policisë ishte nën ndikimin e alkoolit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Edhe në Malishevë është raportuar një rast i kanosjes. Një grua ka deklaruar se një burrë kishte shkuar në lokalin ku ajo punonte dhe e kishte kanosur verbalisht. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Burimi: RTKLive





