Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me operacionin për parandalimin e një vrasjeje të rëndë, ku deri më tani janë ndaluar tre persona të dyshuar.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), nën dyshimin për përgatitjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, dy persona të dyshuar janë ndaluar më 28 nëntor për 48 orë, ndërsa një person tjetër është ndaluar më 29 nëntor, me urdhër të prokurorit kujdestar.
“Operacioni është realizuar më datë 28.11.2026 nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, me urdhër të të cilit janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të këtij operacioni, janë realizuar kontrolle dhe bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, me qëllim të lokalizimit të të dyshuarve dhe sigurimit të provave materiale.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë sekuestruar dy armë dhe municion.
“Një (1) pistoletë me shurdhues dhe pesë (5) fishekë të gjetur në automjetin e dyshuar, si dhe një (1) armë të shkurtër të llojit TT me shtatë (7) fishekë, e gjetur në shtëpinë e njërit prej personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Policia e Kosovës kishte njoftuar më herët se personi i tretë i dyshuar ishte ndaluar më 29 nëntor, rreth orës 04:30, në pikën kufitare në Han të Elezit, në hyrje të Kosovës. Ai ishte në kërkim policor në kuadër të këtij rasti.
Me ndalimin e tij, numri i të dyshuarve të arrestuar në këtë rast ka arritur në tre.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, parandalimin e veprave të rënda penale”, thuhet në fund të njoftimit.
Hetimet po vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit dhe lokalizimin e personave të tjerë të dyshuar që mund të ndodhen në arrati. /Telegrafi/





