Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Ardian Gola, i cili shprehu shpresën se në ditët në vijim do të sigurohen kushtet për vazhdimin e punës së Kuvendit.
Në rendin e ditës të propozuar për seancën e radhës ishte paraparë disa pika ndër të tjera edhe ajo për shqyrtimin në parim i Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

Deputeti Gola, tha se në ditët në vijim do të sigurohet kuorumi për vazhdimin e punës së Kuvendit.
“Shpresoj që ditët në vijim të kem kuorum në mënyrë që të procedojmë me seancat, pasi ka rend dite të ngjeshur dhe është shumë i rëndësishëm për qytetarët”, ka thënë Gola.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se kanë kërkuar që seanca të mbahet të enjten dhe të diskutohet për Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Sot nuk patëm kuptim për mbledhjen e Kryesisë. Rendi i ditës për të enjten ka ardhur me kohë. Ajo që ne e thamë si grup parlamentar është shumë e thjeshtë: ne kërkojmë që seanca e së enjtes të mbahet dhe njëkohësisht dekreti i presidentes për Ligjin për Specialen të kthehet në Kuvend”, tha Tahiri.
Burimi: RTKLive





