Në fushat e druve në komunën e Prizreni shihen pak, ose aspak blerës. Shitësit e druve vazhdojnë të sfidohen me mungesën e klientëve të tyre që deri më tani janë ngrohur me dru.
“Problemi është që dikush, nga halli, ngrohet me dru gjatë dimrit. Edhe druri është bërë i paarsyeshëm për t’u ngrohur. Normalisht, është më i shëndetshëm, por edhe më i shtrenjtë. Ka edhe mundime për t’i prerë e për t’i paluar, por duhet të paguash për çdo gjë që lidhet me drurin. Madje, edhe një metër dru është goxha i kushtueshëm, sillet nga 70 deri në 80 euro, me të qara dhe të prera”, tha për RTK Naim Sallahaj, shitës i druve.

“Valla, ka pasur interesim shumë, por jo ekstrem. Ka qenë më i dobët se në vitet e kaluara. Krahasuar me tri vitet e tjera, atëherë ka pasur më shumë interesim, ndërsa sivjet ka më pak. Drutë e gatshme, të qara, i kemi nga 70 deri në 75 euro, deri në 80 euro”, theksoi Sali Kolgeci, shitës i druve.
Qytetarët e Prizrenit thonë se ngrohja më dru është shumë më e shëndetshme por çmimi i tyre është ngritur shumë.
“Ne jemi në gurbet. Faktikisht, më herët jemi ngrohur me dru, por tash jo, sepse nuk jetojmë këtu. Druri është më i shtrenjtë, ndërsa me rrymë e lëshon ngrohjen sa herë që ke nevojë”, thotë Afrim Hameli, qytetar.
“Paj, më mirë është të ngrohesh me dru, sepse druri është i pazëvendësueshëm”, tha Sadik Kafexholli, qytetar.
Vitet e fundit, ngrohja me dru po bëhet gjithnjë e më pak e preferuar për banorët e Prizrenit, dhe jo vetëm. Jo për shkak të çmimit, por më shumë si pasojë e investimeve në sistemet e ngrohjes qendrore me energji elektrike.
Burimi: RTKLive




