“CFO Green” kapet sërish pa farmacist, Inspektorati urdhëron mbylljen dhe gjobit pronarin

“CFO Green” kapet sërish pa farmacist, Inspektorati urdhëron mbylljen dhe gjobit pronarin

“CFO Green” kapet sërish pa farmacist, Inspektorati urdhëron mbylljen dhe gjobit pronarin

Rrjeti i barnatoreve “CFO Green”, në pronësi të biznesmenit nga Shqipëria, Nadir Çausholli, vazhdon të figurojë në raportet e Inspektoratit Farmaceutik për shkelje të legjislacionit që rregullon shitjen dhe dhënien e barnave në Kosovë. Pas një vargu rastesh të dokumentuara në disa komuna, një tjetër vendim zyrtar zbulon se njësia nr. 26 e këtij rrjeti në Ferizaj është gjetur duke ofruar shërbime pa praninë e farmacistit përgjegjës apo zëvendësuesit të licencuar. Inspektorati ka urdhëruar mbylljen e barnatores dhe ka gjobitur pronarin me 2 mijë euro,.

Sponsor 3M Express

Ky rast nuk është i pari që lidhet me rrjetin “CFO Green”. Në hulumtimet e mëparshme janë publikuar dokumente zyrtare që dëshmojnë se njësi të këtij rrjeti në Ferizaj, Prishtinë, Lipjan, Rahovec, Pozheran, Drenas, Mitrovicë dhe komuna të tjera janë gjetur duke operuar në kundërshtim me dispozitat ligjore për praninë e farmacistëve të licencuar. Madje, në disa njësi janë evidentuar shkelje të përsëritura, ndërsa në raste të caktuara Inspektorati ka shqiptuar gjoba dhe ka urdhëruar mbylljen e barnatoreve.

Inspektorati e gjen barnatoren duke shërbyer pa farmacist

Dokumentet zyrtare të siguruara nga Front Online tregojnë se më 5 gusht 2026, Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë ka realizuar një riinspektim në barnatoren “CFO Green”, Njësia nr. 26, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Ferizaj. Sipas raportit me numër 10/AS-002-26, barnatorja është gjetur e hapur dhe duke ofruar shërbime farmaceutike në mungesë të farmacistit përgjegjës apo një farmacisti zëvendësues të licencuar.Në dokumentin zyrtar figuron si farmaciste përgjegjëse Qëndresa Maloku, ndërsa pronar i barnatores është Nadir Çausholli. Në momentin e kontrollit, shërbimet farmaceutike po ofroheshin nga G.B., teknike e farmacisë. Inspektorët kanë konstatuar se në barnatore nuk ishte e pranishme as farmacistja përgjegjëse dhe as ndonjë zëvendësues i autorizuar. Sipas raportit të Inspektoratit, kjo situatë përbënte shkelje të dispozitave ligjore që kërkojnë praninë e farmacistit të licencuar gjatë ofrimit të shërbimeve farmaceutike.

Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e kontrollit të Inspektoratit Farmaceuti

Dëshmitë e shitjeve zbuluan produkte që kërkonin praninë e farmacistit

Inspektorët nuk janë mjaftuar vetëm me konstatimin e mungesës së stafit profesional. Gjatë kontrollit ata kanë administruar edhe dokumentacionin e shitjeve të barnatores, përfshirë raportin X dhe pasqyrën e shitjeve ditore të datës 5 gusht 2026. Sipas dokumenteve, në këto evidenca figuronin produkte medicinale që duhet të dispenzohen vetëm në praninë e farmacistit përgjegjës ose zëvendësuesit të tij. Kjo gjetje ka rëndësi të veçantë, pasi tregon se inspektimi nuk ka evidentuar vetëm mungesën fizike të farmacistit, por ka përfshirë edhe verifikimin e veprimtarisë së shitjes së produkteve medicinale

Gjetjet janë dokumentuar në procesverbalin e inspektimit me numër 0109310, të shoqëruar me fotografi dhe dokumentacion tjetër.

Inspektorati urdhëron mbylljen e barnatores

Pas konstatimit të shkeljeve, Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar mbylljen e barnatores dhe ndalimin e ofrimit të shërbimeve farmaceutike pa praninë e farmacistit përgjegjës apo zëvendësuesit të tij. Urdhri është dhënë përmes procesverbalit të inspektimit të datës 5 gusht 2026. Megjithatë, nga dokumentet nuk mund të konfirmohet se sa kohë ka qëndruar e mbyllur barnatorja dhe nëse urdhri është zbatuar në tërësi.Pronari Nadir Çausholli gjobitet me 2 mijë euro

Më 25 gusht 2026, Inspektorati Farmaceutik ka nxjerrë vendimin me numër 10/AS-002-26, përmes të cilit Nadir Çausholli, në cilësinë e themeluesit të barnatores “CFO Green”, Njësia nr. 26, është ndëshkuar me gjobë prej 2.000 eurosh.

Në arsyetimin e vendimit, Inspektorati ka konstatuar shkelje të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi, Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Udhëzimit Administrativ nr. 11/2015. Sipas këtyre dispozitave, barnatorja duhet të ketë gjatë gjithë orarit të punës farmacist të licencuar, ndërsa barnat e përshkruara nga mjeku apo stomatologu duhet të jepen nga farmacisti i licencuar ose në praninë e tij.

Një nga elementet më domethënëse të këtij rasti është fakti se Njësia nr. 26 në Ferizaj kishte qenë edhe më parë pjesë e dokumenteve të publikuara për mungesën e stafit të kërkuar profesional. Në atë dosje ishte përfshirë edhe Njësia nr. 26 në Ferizaj. Sipas një raporti të mëparshëm, gjatë një kontrolli në këtë barnatore ishin gjetur të pranishme dy punonjëse, ndërsa farmacistja përgjegjëse nuk ishte në vendin e punës. Inspektorati kishte evidentuar mungesën e farmacistit të licencuar përgjegjës ose zëvendësuesit të autorizuar.

Kështu, dokumentet e publikuara më herët dhe vendimi i ri i gushtit 2026 tregojnë se në të njëjtën njësi është evidentuar më shumë se një herë problemi i mungesës së farmacistit gjatë ofrimit të shërbimeve.

Nga Ferizaj në Prishtinë, Lipjan e Rahovec: dosja e shkeljeve të “CFO Green”

Në Ferizaj, Njësia nr. 5 ishte gjetur në raste të ndryshme duke ofruar shërbime pa praninë e farmacistit përgjegjës. Në një nga kontrollet ishte evidentuar edhe një teknike e farmacisë me licencë të skaduar. Në Prishtinë, Njësia nr. 6 ishte urdhëruar të mbyllej, pasi shërbimet po ofroheshin në mungesë të farmacistit përgjegjës.

Në Lipjan, Njësia nr. 12 ishte gjetur duke ofruar shërbime pa farmacist, ndërsa sipas dokumenteve të publikuara më herët, farmacisti zëvendësues ishte paraqitur në barnatore vetëm pas telefonatës së punonjëses. Në Rahovec, Njësia nr. 13 ishte evidentuar në më shumë se një inspektim për mungesë të farmacistit, ndërsa në një rast ishte urdhëruar edhe mbyllja e saj. Raste të tjera janë dokumentuar në Pozheran, Drenas dhe Mitrovicë. Këto konstatime dëshmojnë se mungesa e farmacistëve në njësitë e kontrolluara nuk ka qenë një dukuri e kufizuar vetëm në një barnatore apo në një komunë të caktuar.

Emri i Çaushollit edhe në raportimet për hetimet farmaceutike në Shqipëri

Përtej shkeljeve të konstatuara në Kosovë, emri i biznesmenit Nadir Çausholli është përmendur edhe në raportimet mediatike në Shqipëri lidhur me kompaninë farmaceutike “CFO Pharma”. Sipas këtyre raportimeve, në nëntor 2025 Prokuroria e Tiranës kishte njoftuar për masa ndaj disa personave të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave, në lidhje me rimbursimin e barnave. Në raportime është përmendur edhe kompania “CFO Pharma”, e lidhur me biznesmenin Nadir Çausholli. Megjithatë, sipas raportimit të mëparshëm, hetimet e përshkruara nuk kishin evidentuar përgjegjësi penale të vetë Çaushollit, ndërsa dyshimet ndaj personave të tjerë nuk përbëjnë provë fajësie.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Ekskluzive | Artan Fejza është Drejtori i Prokurimit të Policisë për të cilin IPK rekomandoi suspendimin

Ekskluzive | Artan Fejza është Drejtori i Prokurimit të Policisë për të cilin IPK rekomandoi suspendimin

Pavarësisht marrëveshjes mes Komunës dhe sindikatës, prindërit bojkotojnë nesër mësimin në shkollën “Ismail Qemali”

Pavarësisht marrëveshjes mes Komunës dhe sindikatës, prindërit bojkotojnë nesër mësimin në shkollën “Ismail Qemali”

Tronditet Prokurimi i Policisë së Kosovës – drejtori nën hetim për dhjetëra kontrata, IPK kërkon suspendimin e tij

Tronditet Prokurimi i Policisë së Kosovës – drejtori nën hetim për dhjetëra kontrata, IPK kërkon suspendimin e tij