Për shumë njerëz, dita nuk mund të nisë pa një filxhan kafe. Përveçse ndihmon në zgjimin dhe përqendrimin, konsumimi i saj mund të ketë disa përfitime për shëndetin, nga mbrojtja e zemrës deri te ulja e rrezikut të diabetit.

Megjithatë, kafeja mund të shkaktojë edhe efekte të padëshiruara, veçanërisht kur konsumohet në sasi të mëdha ose në orët e vona të ditës.
Sipas një analize të publikuar nga Health.com, ja çfarë ndodh në trupin tuaj kur pini kafe çdo mëngjes.
Përmirëson vigjilencën dhe përqendrimin
Një filxhan kafeje të zezë prej 350 ml mund të përmbajë nga 113 deri në 247 miligramë kafeinë. Kjo substancë stimulon trurin dhe sistemin nervor, duke reduktuar lodhjen dhe duke rritur përqendrimin.
Sipas dietologes Anthea Levi, deri në 400 miligramë kafeinë në ditë konsiderohet një sasi e përshtatshme për shumicën e të rriturve të shëndetshëm, megjithëse toleranca ndryshon nga një person te tjetri.
Mund të përmirësojë performancën fizike
Kafeina mund t’i japë trupit më shumë energji gjatë aktivitetit fizik. Një studim i vitit 2021 zbuloi se konsumimi i kafesë para stërvitjes mund të përmirësojë qëndrueshmërinë dhe performancën muskulore.
Ndërkohë, një studim tjetër i vitit 2023 tregoi se personat që pinin kafe çdo ditë bënin mesatarisht më shumë hapa gjatë ditës sesa ata që nuk e konsumonin.
Ndihmon shëndetin e zemrës
Disa studime kanë lidhur konsumin e moderuar të kafesë me rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës, përfshirë sëmundjet koronare, goditjen në tru dhe dështimin e zemrës.
Një nga arsyet mund të jenë antioksidantët që përmban kafeja, të cilët ndihmojnë në luftimin e stresit oksidativ dhe proceseve inflamatore. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk mund të thuhet se vetëm kafeja parandalon sëmundjet kardiovaskulare.
Mund të lidhet me jetëgjatësi më të madhe
Një studim i vitit 2025 zbuloi se personat që pinin kafe kryesisht në mëngjes kishin një rrezik më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, krahasuar me ata që e konsumonin më vonë gjatë ditës ose nuk pinin fare.
Një shpjegim i mundshëm është se kafeina e konsumuar në orët e vona mund të prishë gjumin dhe ritmin natyror të organizmit.
Mund të ulë rrezikun e diabetit
Një përmbledhje studimesh e vitit 2024 gjeti se konsumimi i një deri në katër filxhanëve kafe në ditë lidhej me rrezik më të ulët të diabetit të tipit 2.
Kjo mund të lidhet me përbërësit antioksidues të kafesë, veçanërisht acidin klorogjenik, i cili mund të ndihmojë në përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe metabolizmit të glukozës.
Megjithatë, kujdes duhet treguar me pijet e kafesë që përmbajnë shurupe, kremra dhe sasi të mëdha sheqeri, pasi mund të rrisin ndjeshëm marrjen ditore të sheqerit.
Ndihmon tretjen
Kafja e mëngjesit mund të stimulojë aktivitetin e zorrëve dhe të ndihmojë personat që vuajnë nga kapsllëku.
Acidet e saj nxisin sekretimin e gastrinës, një hormon që stimulon tkurrjet e muskujve të zorrës së trashë. Edhe kafeina mund të ndikojë në përshpejtimin e tretjes.
Cilat janë efektet e padëshiruara?
Pavarësisht përfitimeve, kafeja nuk ndikon njësoj te të gjithë. Konsumimi i saj mund të shkaktojë disa shqetësime:
- Çrregullime të gjumit: Kafeina mund ta bëjë më të vështirë të fjeturit dhe të ulë cilësinë e gjumit. Personat e ndjeshëm këshillohen ta shmangin pas mesditës.
- Ankth dhe nervozizëm: Te disa persona mund të shkaktojë dridhje, padurim dhe rrahje të shpejta të zemrës.
- Probleme me tretjen: Mund të shkaktojë fryrje, diarre dhe dhimbje barku, veçanërisht te personat me zorrë të irritueshme.
- Urth dhe refluks: Aciditeti i kafesë mund të përkeqësojë simptomat e refluksit.
- Njolla në dhëmbë: Konsumi i përditshëm mund të shkaktojë ndryshimin e ngjyrës së dhëmbëve dhe erë të pakëndshme të gojës.
Në përfundim, kafeja mund të jetë pjesë e një stili të shëndetshëm jetese, për sa kohë konsumohet në mënyrë të moderuar dhe merret parasysh reagimi individual i organizmit. /Telegrafi/





