Shteti kinez subvencionon prodhuesit vendas të automjeteve në disa mënyra. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e vetme pse veturat kineze janë më të lira se ato evropiane, japoneze dhe koreane.

Sipas kompanisë konsulente AlixPartners, një avantazh të madh për prodhuesit kinezë përbën edhe qasja më e lehtë në lëndët e para.
Prodhimi i një veture elektrike kineze kushton mesatarisht rreth 20 mijë e 100 euro, ndërsa prodhimi i një veture të krahasueshme në Evropë kushton rreth 30 mijë e 700 euro. Diferenca prej më shumë se 10 mijë eurosh është e vështirë të kompensohet nga prodhuesit evropianë.
AlixPartners thekson se 80 deri në 85 për qind e kapaciteteve botërore për rafinimin dhe përpunimin e lëndëve të para kryesore ndodhen jashtë Evropës, ndërsa një pjesë e madhe e tyre është e përqendruar pikërisht në Kinë.
Kjo vlen veçanërisht për materialet që nevojiten për prodhimin e baterive të veturave elektrike.
Falë këtij avantazhi, prodhuesit kinezë mund të prodhojnë qelizat e baterive me një kosto rreth 40 euro më të ulët për kilovat-orë, krahasuar me prodhuesit evropianë.
Një tjetër avantazh i prodhuesve kinezë është shpejtësia e zhvillimit të modeleve të reja. Shumë marka kineze arrijnë të zhvillojnë dhe të prezantojnë një model të ri për më pak se 24 muaj.
Kjo shpejtësi reflektohet edhe në rezultatet e shitjeve. Rreth 76 deri në 80 për qind e shitjeve të markave kineze të veturave përbëhen nga modelet që kanë më pak se tre vjet në treg.
Për krahasim, te prodhuesi gjerman Volkswagen, kjo përqindje është vetëm 34 për qind.
Kështu, përparësia e Kinës në tregun e veturave nuk lidhet vetëm me subvencionet shtetërore, por edhe me kontrollin më të madh mbi zinxhirin e furnizimit, kostot më të ulëta të baterive dhe aftësinë për të sjellë më shpejt modele të reja në treg. /Telegrafi/




