Trupi gjykues i CAS-it ka marrë vendim unanim në favor të Senegalit, duke anuluar vendimin e Komisionit të Apelit të CAF-it, i cili më herët ia kishte regjistruar Marokut fitoren në tavolinë me rezultat 3:0.
“Trupi gjykues i CAS-it konstaton se arbitri nuk ka bërë asnjë gabim në zbatimin e ligjit”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i kësaj gjykate, Matthieu Reeb.

Kontestimi lidhet me finalen e zhvilluar në Rabat në muajin janar, ku Senegali kishte triumfuar ndaj Marokut pas vazhdimeve.
Në fund të kohës së rregullt, pasi arbitri akordoi penallti në favor të Marokut, futbollistët e Senegalit u larguan nga fusha në shenjë proteste. Disa prej tyre shkuan edhe në dhomat e zhveshjes, ndërsa loja mbeti e ndërprerë për rreth 14 minuta.
Pas rikthimit në fushë, Maroku nuk arriti ta shndërronte penalltinë në gol, duke bërë që ndeshja të vazhdonte në vazhdime. Aty Senegali realizoi golin vendimtar dhe fitoi trofeun.
Megjithatë, dy muaj më vonë, Komisioni i Apelit i CAF-it vendosi që Senegali ta humbiste ndeshjen në tavolinë për shkak të braktisjes së përkohshme të fushës, duke ia dhënë titullin Marokut me rezultat 3:0.
Ky vendim u kundërshtua nga pala senegaleze dhe çështja përfundoi në CAS, e cila tashmë ka vendosur në favor të kampionit të shpallur në fushën e lojës.
Me këtë vendim, Senegali rikthen zyrtarisht titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025, ndërsa Maroku e humb statusin e kampionit.
Burimi: RTKLive




