Britania u shkruan 100 mijë ish-ushtarakëve për t’i përgatitur për mundësinë e mobilizimit

Britania u shkruan 100 mijë ish-ushtarakëve për t’i përgatitur për mundësinë e mobilizimit

Britania u shkruan 100 mijë ish-ushtarakëve për t’i përgatitur për mundësinë e mobilizimit

Britania e Madhe u ka dërguar letra rreth 100 mijë ish-pjesëtarëve të forcave të armatosura, për t’i përgatitur për mundësinë e mobilizimit në rast të shpërthimit të një lufte.

Sponsor 3M Express

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, i tha televizionit Sky News se qëllimi i kësaj nisme është verifikimi i të dhënave personale të ish-ushtarakëve, si dhe mbledhja e informacionit për përvojat dhe aftësitë që ata mund të kenë fituar që nga largimi nga shërbimi ushtarak.

Sipas tij, kontaktimi i personave që bëjnë pjesë në atë që njihet si Rezerva Strategjike është një masë e arsyeshme, duke pasur parasysh kërcënimet me të cilat përballen Britania dhe aleatët e saj. Ai theksoi se kjo nuk duhet të interpretohet si shenjë se lufta është e pashmangshme.

Megjithatë, Streeting tha se bëhet fjalë për një masë paraprake që qeveria duhet ta ndërmarrë. Sipas tij, nëse një veprim i tillë nuk do të ndërmerrej dhe më pas vendi do të përfshihej në luftë, qeveria do të përballej me pyetje të vështira gjatë një hetimi publik për shkallën e përgatitjes së saj.

Lajmi për dërgimin e letrave u publikua fillimisht nga gazeta The Telegraph, në një periudhë tensionesh të shtuara me Rusinë dhe Iranin, transmeton Telegrafi.

Rezerva Strategjike konsiderohet një pjesë e rëndësishme e sistemit mbrojtës të Britanisë në kohë lufte. Personat që bëjnë pjesë në të do të mobilizoheshin për të përforcuar forcat e rregullta dhe rezervistët aktivë, të cilët do të dërgoheshin fillimisht në front.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Britania kishte një sistem të qartë për identifikimin e personave që mund të mobilizoheshin në rast krize. Rezervistët strategjikë kishin uniformat dhe pajisjet e tyre, ndërsa një herë në vit merrnin pjesë në trajnime.

Megjithatë, ky aktivitet kërkonte shpenzime dhe u ndërpre në vitet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Gjatë të paktën shtatë viteve të fundit, sekretarët e Mbrojtjes dhe drejtuesit ushtarakë britanikë janë përpjekur ta ringjallin këtë sistem. Tashmë, duket se procesi po merr formë konkrete.

Duke folur për gazetaren Sophy Ridge, Streeting tha se një verifikim i tillë i të dhënave duhet të ishte pjesë e procedurave të zakonshme, por se nuk ishte kryer prej një kohe të gjatë.

“Ne u kemi shkruar pjesëtarëve të Rezervës Strategjike. Bëhet fjalë për njerëz që kanë shërbyer më parë në forcat tona të armatosura. Kemi kontaktuar me ta për t’u siguruar që të dhënat e tyre janë të përditësuara dhe për të kuptuar se çfarë përvojash e aftësish kanë fituar që nga largimi nga ushtria”, deklaroi ai.

Streeting shtoi se qeveria duhet t’i ketë këto informacione të gatshme, pavarësisht nivelit të kërcënimeve, por theksoi se situata aktuale e sigurisë e bën edhe më të nevojshme këtë përgatitje.

Ai tha se Britania dhe aleatët e saj në NATO po veprojnë në një mjedis me kërcënime të shtuara, prandaj përditësimi i të dhënave dhe rritja e gatishmërisë janë masa të arsyeshme dhe të domosdoshme.

“Unë mendoj se njerëzit duhet ta shohin këtë si diçka qetësuese dhe jo alarmuese”, tha sekretari britanik i Mbrojtjes.

Ai përsëriti se Britania nuk po përballet me një luftë të pashmangshme, por paralajmëroi se mosndërmarrja e këtyre masave në kohën e duhur mund të ngrejë pikëpyetje serioze për përgatitjen e institucioneve britanike në rast të një konflikti të ardhshëm. /Telegrafi/

Lexo edhe

Izraeli ‘zyrtarisht sanksionon’ torturën e të burgosurve palestinezë për të nxjerrë rrëfime, përfundon raporti

Izraeli ‘zyrtarisht sanksionon’ torturën e të burgosurve palestinezë për të nxjerrë rrëfime, përfundon raporti

Ish-kandidatja e VV-së për deputete propozohet për Këshillin Kombëtar të Shkencës

Ish-kandidatja e VV-së për deputete propozohet për Këshillin Kombëtar të Shkencës

Vrasja e mësuesit Halit Geci dhe dalja e parë publike e UÇK-së|Video

Vrasja e mësuesit Halit Geci dhe dalja e parë publike e UÇK-së|Video