Ish-presidenti Joe Biden tha në një intervistë të publikuar të mërkurën se performanca e tij në debatin me Donald Trump-in në vitin 2024 “nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe” dhe se ai nuk do të kishte kërkuar një mandat të dytë nëse do ta dinte se vuante nga kanceri.

Intervista për revistën PEOPLE vjen pak para publikimit të librit me kujtime presidenciale të Biden-it, “Promise Me, America”, që do të dalë javën e ardhshme.
Debati i korrikut 2024, gjatë të cilit Biden u shfaq i hutuar dhe pati vështirësi në artikulimin e argumenteve për një mandat tjetër, çoi përfundimisht në tërheqjen e presidentit nga gara dhe mbështetjen e zëvendëspresidentes së tij, Kamala Harris, vetëm 107 ditë para zgjedhjeve të vitit 2024.
Performanca e tij në debat bëri gjithashtu që bashkëshortja e tij, Zonja e Parë Jill Biden, të mendonte se presidenti po pësonte goditje në tru.
Megjithatë, në intervistën e re, Biden e minimizoi ndikimin e këtij episodi.
“Shikoni, nuk njoh askënd që nuk ka bërë ndonjë gabim në një debat”, tha Biden në intervistën për PEOPLE. “Për mua, kjo nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. Së pari, mendoja se do të kishte një debat tjetër, gjë që nuk ndodhi. Por, pavarësisht faktit se nuk pati një debat tjetër, kjo nuk më shqetësoi, sepse nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe”.
Një debat i dytë, i planifikuar për në shtator, u zhvillua, por mes Harris-it dhe Trump-it.
Ish-presidenti u diagnostikua me një formë agresive të kancerit të prostatës vetëm katër muaj pasi u largua nga detyra.
Ai pranoi se ishte ndjerë “shumë keq” para se të mësonte për kancerin dhe shtoi se nuk do të kishte ndërmarrë një fushatë tjetër për Shtëpinë e Bardhë nëse do ta dinte se ishte i sëmurë.
“Nëse do ta kisha ditur se po ndihesha keq sepse kisha kancer, do të isha tërhequr. Nuk do të kisha vazhduar, sepse nuk mendoj se një burrë 80-vjeçar me kancer duhet të kandidojë për (president)”, tha ai.
“Por nuk ishte kështu… Besoj se, në mënyrë objektive, isha personi më i përshtatshëm për ta kryer këtë detyrë”.
Ai tha se e vuri publikun në dijeni për diagnozën e tij “në momentin që e morëm vesh” dhe mohoi ta ketë fshehur të vërtetën rreth gjendjes së tij shëndetësore gjatë presidencës.
“…Mendoj se është e rëndësishme që një udhëheqës kombëtar, si presidenti, t’u bëjë të ditur njerëzve se ai përballet me të njëjtat vështirësi me të cilat përballen shumë qytetarë amerikanë”.
Libri i Bidenit do të publikohet të martën e ardhshme. Ai ka deklaruar se sëmundja e kancerit do ta kufizojë mundësinë e tij për ta promovuar atë. /Telegrafi/





