Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar 26 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 98 mijë eurosh, pas inspektimeve të realizuara për kontrollin e cilësisë së produkteve të ndërtimit që vendosen në tregun e Kosovës.

Sipas njoftimit të IQMT-së, janë realizuar gjithsej 54 inspektime lidhur me betonin e gatshëm, çimenton dhe elementet e betonit, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Produktet e Ndërtimit dhe udhëzimeve administrative përkatëse.
Gjatë këtyre inspektimeve janë marrë mostra të produkteve, të cilat më pas janë testuar në laboratorë të akredituar.
Nga rezultatet laboratorike dhe kontrollet e kryera është konstatuar se 26 mostra nuk i kanë përmbushur kërkesat teknike të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Si rezultat i këtyre shkeljeve, IQMT ka shqiptuar 26 gjoba, në vlerë të përgjithshme prej 98 mijë eurosh.
Inspektorati ka theksuar se mbikëqyrja e produkteve të ndërtimit është e rëndësishme për garantimin e cilësisë dhe sigurisë, mbrojtjen e konsumatorëve dhe parandalimin e tregtimit të produkteve që nuk përmbushin standardet e kërkuara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





