Avokati Besnik Berisha, i ftuar në emisionin “Adresa” në Kana10, ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke dhënë detaje lidhur me momentin e ekzekutimit dhe personat që, sipas tij, ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Berisha ka deklaruar se Arlinda Zekaj është ekzekutuar në prani të vjehrrës së saj, dy djemve të kunatit dhe djalit të saj.
Sipas avokatit, tragjedia ka ndodhur para syve të familjarëve, ndërsa ai ka ngritur pikëpyetje për mosveprimin e personave që ndodheshin aty.
Ai është ndalur veçanërisht te vjehrra e viktimës, e cila është arrestuar dy ditë më parë, duke pretenduar se ajo nuk kishte tentuar t’i ofronte ndihmë Arlindës në momentin e ekzekutimit.
“Dikujt mund t’i ketë dhimbur një grua e moshuar në stacion, me duar të lidhura, por le ta dinë se ajo grua, me ftohtësinë e saj maksimale, ka thënë se nuk e ka vrarë. Ajo nuk e mori mundimin t’i afrohej nënës së nipit të saj, e la të shtrirë prapa derës, ku u ekzekutua barbarisht”, ka deklaruar Berisha.
Avokati ka shtuar se, sipas tij, ish-vjehrra nuk kishte tentuar t’i ofronte Arlindës as ndihmën më të vogël, madje as në momentin kur ndodhi tragjedia.
Berisha ka theksuar se arrestimi i saj, sipas deklarimeve të tij, nuk lidhet vetëm me ditën dhe momentin tragjik, por edhe me veprime që dyshohet se i kanë paraprirë ngjarjes.
Burimi: Insajderi





